10 milionë euro për projektin në Veternik, Prishtina planifikon mbikalim, nënkalim dhe lidhje të reja rrugore
Komuna e Prishtinës ka hapur procedurën e prokurimit për ndërtimin e një ure në Veternik, e cila përfshin mbikalim dhe nënkalim për vetura dhe automjete mbi “Rrugën A”.
Sipas njoftimit për kontratë, projekti do të realizohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ndërsa vlera e parashikuar e kontratës është 10 milionë euro.
Punët parashihet të përfundojnë brenda 150-ditësh nga dhënia e kontratës. Për operatorët ekonomikë është kërkuar, ndër të tjera, që të kenë realizuar më parë projekte të ngjashme infrastrukturore në vlerë prej së paku 15 milionë euro, ku njëri prej projekteve duhet të jetë ndërtimi i një ure me vlerë minimale prej 3 milionë eurosh.
Në kriteret e vlerësimit, 60 për qind e pikëve i takojnë çmimit të ofertës, ndërsa nga 20 për qind janë përcaktuar për afatin e implementimit dhe periudhën garantuese. Afati i implementimit vlerësohet nga 120 deri në 150 ditë, ndërsa periudha garantuese nga 10 deri në 15 vjet.
Operatorët ekonomikë kanë afat që ofertat t’i dorëzojnë deri më 4 shtator 2026, në orën 13:30, përmes sistemit të E-Prokurimit të Komunës së Prishtinës. Siguria e tenderit është përcaktuar në vlerën prej 300 mijë eurosh, me vlefshmëri 120 ditë.



