BE-ja do të pezullojë importet e produkteve shtazore nga Brazili
Bashkimi Evropian (BE) do të pezullojë nga e enjtja importet e mishit brazilian dhe produkteve të tjera me origjinë shtazore, në pritje të garancive nga Brazili se eksportet e tij janë në përputhje me rregullat e bllokut për shëndetin e kafshëve.
Sipas të përditshmes italiane “Il Sole 24 Ore”, të cilën e citon Anadolu, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Brazili nuk do të autorizohet më të eksportojë në BE kafshë dhe produkte me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor, në kuadër të kësaj mase.
Pezullimi do të përfshijë produkte si mishi i viçit, shpendët, vezët, mjalti dhe zorrët.
Komisioni Evropian ka deklaruar se Brazili është hequr në muajin maj nga lista e vendeve që konsiderohen në përputhje me rregullat e BE-së për përdorimin e antibiotikëve te kafshët.
BE-ja kërkon që produktet me origjinë shtazore të importuara për konsum njerëzor të përmbushin standardet e bllokut për shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik, përfshirë kontrollet mbi mbetjet e ilaçeve veterinare.
Pezullimi do të mbetet në fuqi derisa të sigurohen garancitë e nevojshme për përputhshmërinë e eksporteve braziliane me kërkesat e BE-së.



