Deputetja Albana Bytyqi: Haradinaj duhet të nisë mobilizimin opozitar protestues
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka bërë thirrje për mobilizim opozitar dhe protesta në mbrojtje të institucioneve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Bytyqi ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk dëshiron konstituimin e institucioneve shtetërore.
Ajo ka thënë se deputetët opozitarë nuk duhet të heshtin përballë, siç e ka quajtur ajo, “shkatërrimit të shtetit”.
“Të gjithë në mbrojtje të Shtetit! Të gjithë në mbrojtje të Kushtetutës!”, ka shkruar Bytyqi.
Ajo ka vlerësuar se ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duhet të nisë mobilizimin opozitar protestues.
“Unë i them JO heshtjes! Besoj që Ramushi duhet të fillojë mobilizimin opozitar protestues”, ka deklaruar Bytyqi.
Postimi i plotë i saj:
Të gjithë në mbrojtje të Shtetit!
Të gjithë në mbrojtje të Kushtetutës!
Kryeministri Kurti definitivisht NUK DO që institucionet shtetërore të konstituohen. I pëlqen të qeverisë në mjegull, pa llogaridhënie!
Ramush Haradinaj sonte demaskoi shumë prej veprimeve të Vetëvendosjes, që nga shkurti i kaluar e deri më sot.
Çka na mbetet neve, si deputetë opozitarë, nga nesër? Të dorëzohemi dhe të bëhemi sikur nuk po e shohim se si po na shkatërrohet shteti para syve, apo të zgjohemi në mbrojtje të tij?
Unë i them JO heshtjes!
Besoj që Ramushi duhet të fillojë mobilizimin opozitar protestues.
Të gjithë në mbrojtje të Shtetit!
Të gjithë në mbrojtje të Kushtetutës!



