IKD-ja: Bllokada institucionale rrezikon mbi 43.8 milionë euro nga fusha 5 e Planit të Rritjes
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë me dije se, për shkak të bllokadës institucionale, Kosova rrezikon mbi 43.8 milionë euro nga fusha 5 e Planit të Rritjes për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Sipas IKD-së, Kosova duhet të përmbushë deri në fund të vitit 2026 tetë hapa të fushës 5, e cila ka të bëjë me reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, demokracinë dhe politikën e vizave.
“Deri në fund të vitit 2026, Kosova duhet të përmbushë tetë hapa në Fushën 5 të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 43.8 milionë euro. Këto mjete lidhen drejtpërdrejt me reforma në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, demokracinë dhe politikën e vizave. Kjo fushë përfshin disa prej reformave më të rëndësishme për funksionimin demokratik të shtetit: përmirësimin e performancës dhe llogaridhënies së gjyqësorit, miratimin e Kodit Civil, forcimin e luftës kundër korrupsionit, avancimin e të drejtave themelore, funksionalizimin e Kuvendit dhe politikën e vizave. Këto nuk janë vetëm reforma teknike”, është thënë në komunikatën e IKD-së.
IKD-ja ka theksuar se një pjesë e këtyre reformave kërkon vendimmarrje nga Kuvendi, ndërsa të tjerat kërkojnë institucione funksionale dhe veprim të koordinuar nga Qeveria.
“Kosova ka mbetur pa një strategji shtetërore kundër korrupsionit që nga viti 2017, fakt të cilin Komisioni Evropian në vazhdimësi e ka evidentuar si mungesë të kornizës së nevojshme strategjike në luftën kundër korrupsionit. Ngjashëm, Kodi Civil ka mbetur peng i mungesës së koordinimit politik, përfshi edhe brenda shumicës qeverisëse”, është thënë në këtë komunikatë.
Më tutje, IKD-ja ka njoftuar se vazhdimi i bllokadës rrezikon përmbushjen e obligimeve dhe disbursimin e mjeteve nga kjo fushë, si dhe dëmton besueshmërinë e vendit në procesin e reformave dhe të integrimit evropian.
“Ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, i njëjti mbetet jofunksional, ndërsa formimi dhe funksionalizimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 është vënë në pikëpyetje. Vazhdimi i kësaj bllokade rrezikon përmbushjen e obligimeve të Kosovës dhe disbursimin e mbi 43.8 milionë eurove nga kjo fushë. Njëkohësisht, dëmton besueshmërinë e vendit në procesin e reformave dhe të integrimit evropian”, është thënë në komunikatën e IKD-së.



