FC Alba Augsburg viziton Konsullatën e Kosovës në Mynih
Kryesia e klubit shqiptar të futbollit FC Alba Augsburg, e udhëhequr nga kryetari Haki Gashi, ka zhvilluar sot një vizitë në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Mynih. Gjatë vizitës, drejtuesit e klubit janë pritur nga konsulli Afrim Nura, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Sipas njoftimit të publikuar nga FC Alba Augsburg, takimi u zhvillua në një frymë bashkëbisedimi dhe shkëmbimi të mendimeve lidhur me zhvillimet e fundit që kanë preokupuar Kosovën dhe komunitetin shqiptar në diasporë.
“Pas zhvillimeve dhe ngjarjeve të fundit që po preokupojnë vendin dhe komunitetin tonë, kjo vizitë ishte një mundësi e rëndësishme për të biseduar, për të shkëmbyer mendime dhe për të marrë këshilla se si ne, si komunitet shqiptar në diasporë, mund të veprojmë dhe të kontribuojmë më tutje në mënyrë të përgjegjshme dhe të bashkuar”, thuhet në njoftimin e klubit.
FC Alba Augsburg ka shprehur falënderimin për konsullin Afrim Nura, zëvendëskonsullen Matoshi, si dhe konsujt Deliu dhe Bejtullahu, për pritjen dhe bashkëbisedimin.
“Respekt dhe mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës!”, përfundon njoftimi i klubit.




