IKShPK: 336 raste me fruth në Kosovë, 37 të reja vetëm gjatë javës së fundit

16 nëntor 2026 | 15:46

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se fruthi vazhdon të përhapet në Kosovë, ndërsa deri më 15 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 336 raste.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, 37 raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit, ndërsa rastet janë evidentuar në 24 komuna të vendit. Pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.

Shqetësues mbetet fakti se mbi 95 për qind e personave të diagnostikuar me fruth janë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.

IKShPK-ja thekson se vaksinimi është masa kryesore për parandalimin e kësaj sëmundjeje, e cila është shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Instituti ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk i kanë marrë dozat e parapara. Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4.120 fëmijë të moshës 2 – 5 vjeç.

IKShPK-ja u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.

Po ashtu, për shkak të rritjes së rasteve, rekomandohet kujdes i shtuar për fëmijët nën moshën 12 muajshe, të cilët ende nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR, duke shmangur sa më shumë ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.

IKShPK-ja ka theksuar se vetëm përmes vaksinimit dhe bashkëpunimit të prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve mund të parandalohet përhapja e mëtejshme e fruthit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
NJOFTIM PUBLIK Shoqëria „Real Invest“ SH.P.K., me numër Unik Identifikues…