Ngrihet aktakuzë ndaj katër personave, dyshohen për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të cilët dyshohen për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet M.K., Z.Z., M.K. dhe V.K., në bashkëveprim dhe me qëllim të shitjes, kanë poseduar dhe shpërndarë substanca narkotike të llojeve të ndryshme, duke ua shitur ato personave të ndryshëm.
“Gjatë kontrollit dhe bastisjes së shtëpive të të pandehurve, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 270.45 gramë kokainë, 146.79 gramë heroinë të përzier me paracetamol dhe kafeinë, si dhe 10.97 gramë marihuanë. Substancat narkotike ishin të ndara dhe të paketuara në qese najloni, të gatshme për shitje”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, i pandehuri i parë, me inicialet M.K., dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).



