Deputetes së partisë së Vuçiqit i hidhet kos në kokë para Parlamentit (video)
Një incident është regjistruar para Kuvendit të Serbisë, ku deputetja e Partisë Progresive Serbe (SNS), Lidija Vukiçeviq, është sulmuar nga një person, i cili i ka hedhur kos në flokë, në shkallët e hyrjes kryesore të Parlamentit.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia serbe e lajmeve “Beta”. Ndërkohë, deputetë të tjerë të SNS-së, mes tyre Aleksandar Vuçiq dhe Millosh Vuçeviq, kishin hyrë më herët në ambientet e Kuvendit.
Pas incidentit, Vukiçeviq ka dalë në një konferencë për mediat në hollin e Parlamentit, para nisjes së seancës konstituive, ku ka shprehur indinjatën për atë që kishte ndodhur.
Ajo ka deklaruar se ndihej shumë keq pasi ishte sulmuar nga bashkëkombësit e saj, duke e cilësuar ngjarjen të papranueshme.
“Gjithë jetën dhe karrierën time ia kam kushtuar Serbisë dhe popullit tonë, për t’i dhuruar gëzim dhe për të dhënë më të mirën nga vetja. Por kemi arritur në një situatë ku sot, përpara Kuvendit Popullor, nuk mund të ndihesh i sigurt. Atëherë, ku mund të ndihesh i sigurt?”, është shprehur ajo.
Pavarësisht incidentit, ajo ka thënë se nuk do të frikësohej dhe se do të vazhdonte t’i mbronte bindjet e saj politike.
“Mund të më hedhin edhe 30 litra kos, mund të bëjnë çfarë të duan, por unë ju pyes: Ku po shkon ky vend? Kush do ta drejtojë këtë vend, kur një deputet i popullit nuk është i sigurt përpara Parlamentit?”, ka deklaruar Vukiçeviq.



