Ndërtimi në Kosovë vazhdon të shtrenjtohet, rriten kostot e transportit, pagave dhe materialeve

27 nëntor 2026 | 11:54

Kostoja e ndërtimit në Kosovë është rritur për 6.1 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Kostos së Ndërtimit ka shënuar rritje edhe për 1.4 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti.

Rritja më e madhe në nivel vjetor është regjistruar te transporti me 13.1 për qind, pasuar nga pagat me 9.7 për qind, kostot e tjera me 7.3 për qind, materialet ndërtimore me 5.4 për qind dhe energjia me 3.3 për qind. Kategoria e vetme që ka shënuar rënie është ajo e makinerive, me 0.6 për qind.

Ndërkaq, krahasuar me tremujorin paraprak, rritja më e madhe është regjistruar te energjia me 4.9 për qind, pagat me 3.3 për qind, transporti me 1.7 për qind, kostot e tjera me 1.4 për qind dhe materialet me 1.1 për qind. Te makineritë është regjistruar rënie prej 0.4 për qind.

Kostoja e ndërtimit mbi 60 për qind më e lartë se në vitin 2015

Të dhënat e ASK-së tregojnë se Indeksi i Kostos së Ndërtimit ka arritur në 160.7 pikë në tremujorin e tretë të vitit 2026, niveli më i lartë që nga fillimi i serisë statistikore më 2013. Krahasuar me vitin bazë 2015, kostot e ndërtimit janë rritur për 60.7 për qind.

Tendenca e rritjes së kostove është përshpejtuar veçanërisht nga viti 2021. Në vitin 2021, rritja mesatare vjetore ishte 12.2 për qind, ndërsa më 2022 arriti në 20.1 për qind. Në vitin 2023, rritja mesatare vjetore ishte 0.6 për qind, më 2024 arriti në 3.4 për qind, ndërsa më 2025 në 4.4 për qind. Gjatë vitit 2026, rritja në nivel vjetor ka vazhduar të përshpejtohet, nga 4.3 për qind në tremujorin e parë, në 5.1 për qind në të dytin dhe 6.1 për qind në tremujorin e tretë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë kanë lëshuar një…