Totti: Nga Roma do të isha larguar vetëm për Realin
Legjenda e Romës, Francesco Totti, ka theksuar se gjiganti spanjoll Real Madridi është klubi i vetëm për të cilin do ta kishte lënë Romën.
Historia e Francesco Tottit në Romë veçohet në futbollin modern. Ish-ylli italian e kaloi tërë karrierën e vet në klubin e fëmijërisë. Ai hoqi dorë nga mundësia për të fituar gjithçka në lojën e futbollit vetëm për t’i qëndruar besnik klubit që e ka dashuruar gjithmonë.
Totti ishte pa dyshim një prej lojtarëve më të talentuar dhe më të mirë të gjeneratës së vet. Ai e fitoi një titull në Serinë A me Romën dhe Kupën e Botës me Italinë, por ka mundur të fitonte shumë më shumë sikur të largohej nga kryeqyteti italian. Megjithëse shumë klube kishin shfaqur interesim për ta blerë atë, hera e vetme kur ai e kishte menduar njëmend largimin ishte në vitin 2006, kur Real Madridi i kishte bërë ofertë.
“Natyrisht që kam menduar për të”, ka thënë Totti i pyetur për ofertën e Real Madridit. “Të themi që ka pasur ditë kur një këmbë e kisha brenda e një jashtë. Por e kam thënë shpesh dhe vërtet se vendimi për të qëndruar në Romë u mor me zemër. Real Madridi ishte klubi i vetëm tjetër për të cilin do të kisha luajtur. Klubi i vetëm ku do të kisha shkuar”, ka nënvizuar Totti.