KMDLNj: Ndërtimi i një spitali brenda SHKK-së, zgjidhje afatgjate për shëndetin e të burgosurve!

10 gusht 2022 | 13:12

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se ndërtimi i një spitali brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) është zgjidhje afatgjate për shëndetin e të burgosurve.

“Sipas informatave të KMDLNj-së, brenda një afati të shkurtër kohor kanë vdekur dy të burgosur që kanë qenë nën përgjegjësi të Shërbimit Korrektues të Kosovës. 1. Me datë 06.08.2022 në orën 14:54 në QKUK ka vdekur Bajram Shala i cili ishte nën kujdes intensiv, pas heqjes së tumorit ku ishte shtrirë nga data 30 korrik 2022 pasi ishte transferuar nga SP i Pejës. 2. Me datë 07.08.2022 në orën 00:55 në SP e Gjilanit ka vdekur i burgosuri Bojan Filiq i nacionalitetit serb nga Q.P në Gjilan si pasojë e sulmit në tru. Bojan Filiq gjatë pranimit nuk ka deklaruar se vuan nga ndonjë sëmundje dhe nuk ka qenë duke marrë fare terapi”, është theksuar në komunikatën e KMDLNj-së.

Ky institucion ka shtuar se është i shqetësuar për vdekjet e dy të burgosurve dhe pret rezultatet e autopsisë pas së cilave do të kërkojë hetimin e rasteve për të eliminuar dyshimet për shkakun e vdekjes dhe nëse dëshmohet çfarëdo lloj përgjegjësie e personave zyrtarë do të kërkojë ndërmarrjen e masave ndaj tyre.

“KMDLNj riaktualizon kërkesën e domosdoshmërisë së ndërtimit të një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës që do të plotësonte nevojat shëndetësore, si për të burgosurit ashtu edhe për stafin korrektues. KMDLNj kërkon nga MD-ja dhe MSh-ja të gjejnë mënyrën dhe mundësinë që për të gjithë të burgosurit të bëhet një kontroll sistematike shëndetësore, së paku një herë në vit ndërsa për grupet me shëndet të cenuar këto kontrolle duhet të bëhen më shpesh”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj vlerëson se në burgjet e Kosovës janë, së paku 45 raste me sëmundje të rëndë dhe me probleme të shëndetit mendor e që kërkojnë trajtim përkatës.

“KMDLNj kërkon që stafi shëndetësor të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve të përkrahet më shumë në aspektin material e sidomos me atë profesional duke ndarë një stimulim shtesë për kuadrot deficitare profesionale që punojnë aty si dhe për stafin tjetër. KMDLNj shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të burgosurve që kanë vdekur si të privuar nga liria; Bajram Shala dhe Bojan Filiq”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e KMDLNj-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka kaluar më pak se një muaj që kur…