A më me rëndësi është menaxhimi i pandemisë apo bisedimet me Serbinë?!

05 gusht 2020 | 13:27

Reagim i KMDLNj-së

Aktualisht Kosova, krahasuar për kokë banori është në majat botërore për kah numri i të infektuarve dhe atyre që përfundojnë me fatalitet. Në vend se të kemi mobilizim të përgjithshëm për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës e cila dita- ditës po përkeqësohet, inatet politike dhe përpjekjet për promovime dhe përfitime politike po ndikojnë dhe po e ndihmojnë përshkallëzimin e situatës.

Në të gjitha mënyrat po pengohet votimi i Ligjit për pandeminë, nuk ka gjë prej premtimit për programin për rimëkëmbje të ekonomisë në kohën kur shumica e bizneseve janë para ose të falimentuara. Shëndetësia , më parë shumë e lavdëruar, tash e kritikuar dhe jo mjaftueshëm e përkrahur nga shteti po i kalon vuajtjet e Tantalit dhe është buzë kolapsit përkundër përpjekjeve dhe sakrificave titanike të punëtorëve shëndetësor.

Frika dhe apatia janë bërë shenjë dalluese e shumë qytetarëve të Kosovës. Po në këtë kohë kur po mendohet ekskluzivisht për mbijetesë, dikujt i është kujtuar ta ringjallë një koordinator për bisedime me Serbinë , sipas modelit dhe vullnetit të Borellit dhe Lajçakut, mohues të shtetit të Kosovës dhe shumë të afërt me Serbinë. Qetësuesi thuaja i vetëm dhe mashtruesi kryesor për qytetarët e Kosovës, liberalizimi i vizave ka mbetur vetëm ëndërr , së paku deri më tani. Koordinatori për bisedime, i riinkarnuar, përveç ambicieve dhe premtimeve të mëdha për ta vendosur mbi kokë dafinën e fitores në këto bisedime, asgjë konkrete nuk ka ofruar dhe për asgjë nuk po i informon qytetarët e Kosovës sikur të vendosej për ardhmërinë e Tibetit e jo të Kosovës.

Madje, i mbështjellë me një jotransparencë të madhe e bënë tërë këtë proces të dyshimtë , jo të besueshëm dhe me mundësi të përfundimit të keq për Kosovën. Kosova ka qenë e lodhur me 6 pikat e Ban Ki Munit për t’i përballuar 9 pikat e Lajçakut dhe Borellit të cilat nuk premtojnë asnjë të mirë për Kosovën përveç se hapin rrugë Serbisë për integrime në BE-në në kohën kur Kosova është krejtësisht e izoluar pa një konsensus të domosdoshëm politik, të pozitës dhe opozitës, nuk mund të vazhdohet me bisedime të improvizuara , siç po veprohet tani.

Nëse koordinatori Skender Hyseni nuk e ka përkrahjen e opozitës dhe subjektit i cili e ka caktuar në këtë pozitë, pa e marrë miratimin e spektrit të gjerë politik, atëherë nuk ka asnjë arsye të bëjë shpenzime të panevojshme. Ato mjete të shpenzuara krejtësisht koti, le të përdoren në luftë kundër pandemisë.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ruajtje dhe mbrojtje të shëndetit , skajshmërisht të rrezikuar, për një gjendje ekonomike të përmirësuar dhe të qëndrueshme, kthim në shkolla dhe normalizim të jetës e jo për bisedime të improvizuara, të dëmshme dhe të panevojshme për këtë kohë e që po bëhen për të siguruar një mbijetesë politike apo për t’u rikthyer nga arkivat e mbuluar me pluhur. Të drejtat e njeriut nuk sigurohen e as nuk mbrohen përmes këtyre bisedimeve të ricikluara por përmes forcimit të institucioneve dhe ligjit që do të ishin vendimtarë për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19.
Prandaj, KMDLNj ju thërret të lini improvizimet dhe ambiciet personale, politike dhe partiake e të merreni me probleme reale me të cilën po përballen qytetarët e Kosovës dhe për të cilin edhe keni mandat! Deri më tani keni dështuar në përmbushjen e këtij mandati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht sugjerimeve që i bëri Zlatan Ibrahimoviç Milanit, për të…