Agim Ademi tregon se ku duhet të ndërtohet stadiumi kombëtar

21 nëntor 2019 | 11:38

Ende nuk dihet se ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar i Kosovës. Pavarësisht se është marrë vendimi që stadiumi kombëtar të ndërtohet në Drenas, ai mund të mos ndërtohet aty ku është thënë, por të zhvendoset në Prishtinë.

Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” e ka kontaktuar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, lidhur me këtë çështje.

Ai ka thënë se kjo është një çështje që i takon Qeverisë së Kosovës dhe se FFK-ja nuk ka qasje në vendimmarrje.

“Është projekt i Qeverisë së Kosovës. Ne nuk kemi asnjë ndikim aty. Dëshira jonë është që ndërtohet sa më shpejt që është e mundur. Normalisht se jemi të gatshëm, nëse është e nevojshme, të kontribuojmë me një ekip profesional”, ka thënë Ademi për “Epokën e re”.

I pyetur nëse qeveria e re do ta kërkonte mendimin e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit lidhur me lokacionin e stadiumit, Ademi nuk ka dhënë ndonjë mendim, përpos që ka kërkuar që ky stadium të ndërtohet sa më shpejt që është e mundur dhe se Federatës i duhet në cilindo vend që ndërtohet. “Me rëndësi është që ky stadium të ndërtohet sa më shpejt sepse Kosova ka nevojë për një stadium të tillë. Po shihet çfarë po ndodh me bileta dhe me kërkesat e qytetarëve që t’i përcjellin ndeshjet e përfaqësueses. Ne si federatë kërkojmë që stadiumi të ndërtohet sa më shpejt në Kosovë. Nuk kemi stadium nacional dhe në rast se nuk mund t’i zhvillojmë ndeshjet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, atëherë si alternativë e kemi stadiumin në Shkodër derisa të ndërtohet stadiumi ynë”, ka deklaruar Ademi, i cili nuk e di se kur pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën…