AKB-ja me 14 kërkesa ndaj institucioneve dhe partive politike

21 janar 2021 | 14:05

Përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), në një konferencë për media të enjten kanë paraqitur 14 kërkesa ndaj institucioneve shtetërore për tejkalimin e krizës ekonomike.

Në konferencën me temën “14 kërkesat e AKB-së, bizneseve dhe konsumatorëve deri më 14 shkurt”, kreu i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se në bashkëpunim me bizneset kanë përpiluar dokumentin ku do të paraqesin kërkesat e tyre.

Sipas Shahinit, rritja e shumës së Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, lirimi nga taksa dhe legalizimi i objekteve pa leje janë disa nga kërkesat. “Ne i kërkojmë 14 pika qeverisë dhe partive për tejkalimin e krizës ekonomike e cila ka ardhur si pasojë e pandemisë. AKB-ja kërkon që të bëhet pasurohet ligji për rimëkëmbje ekonomike si dhe të ketë mbështetje dhe lirimi nga taksat. Krejt këto kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Këto kërkesa duhet të merren parasysh deri më 14 shkurt. Pra, të hiqen taksat për përpunues vendorë dhe të legalizohen objektet e ndërtuara pa leje deri në fund të vitit 2021. Të falen të gjitha borxhet publike për bizneset dhe qytetarët deri në qershor të vitit 2021. Po ashtu, qeveritë lokale të heqin taksat për bizneset, të hiqen ndëshkimet për mjetet për një afat gjashtëmujor, të zhbllokohen llogaritë bankare për të gjithë qytetarët që kanë borxhe për një afat gjashtëmujorë”, u shpreh Shahini.

Kurse, Lumnije Ajdini nga AKB-ja, ka thënë se kanë kërkuar ndryshimin e Ligjit për prokurim publik.

Nënkryetari i AKB-së, Suad Berisha, ka thënë se këto kërkesa janë rruga më e shkurtër që të ndihmohet ekonomia. “Këto 14 kërkesa janë rruga më e shkurt, ku Qeveria e Kosovës do të duhej që ta mbështesin ekonominë e vendit”, ka thënë Berisha.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ylli i Bayern Munchen, Franck Ribery, ka lënë të kuptohet…