Apostolova ‘godet’ drejtuesit e universiteteve publike për shkak të reagimeve kundër vendimeve të AKK-së

28 janar 2019 | 15:55

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya, është takuar të hënën me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKK), nga të cilët është informuar për çështjen e akreditimit të universiteteve publike.

Pas këtij takimi, Apostolova ka lëshuar një deklaratë për medie nëpërmjet të cilës ka shprehur keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të AKK-së.

Deklarata Nataliya Apostolova, pas takimit me Agjencinë e Akreditimit të Kosovës:

Sot pata nderin të takohem me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKK) dhe të informohen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Zotimi i tyre ndaj misionit që kanë është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave.

Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit.

BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor.

U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Olivier Giroud është në muajt e fundit të kontratës me…