ASK-ja: Serbët në veri rezistojnë të regjistrohen, por jo edhe ata në jug

29 prill 2024 | 11:06

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha se serbët në katër komuna në veri të Kosovës ende po rezistojnë të regjistrohen, por jo edhe ata në gjashtë komuna në jug të Ibrit, ku po “regjistrohen në mënyrë masive”.

“Komuniteti serb (në veri) ende heziton në mënyrë masive”, tha Kastrati në një konferencë për media në Prishtinë, në të cilën foli për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që ka filluar më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Lidhur me mospjesëmarrjen e serbëve të veriut në procesin e regjistrimit, Kastrati tha se javën e kaluar janë zhvilluar bisedime me disa institucione ndërkombëtare dhe “sigurisht ata do t’ju transmetojmë atë çka u thamë ne”.

“Ata duhet të dinë se kjo është një e mirë edhe për ata, për të ditur numrin e atyre që jetojnë në këto komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston”, tha Kastrati, duke u bërë thirrje serbëve në veri të regjistrohen.

Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Kastrati tha se kjo thirrje e Listës Serbe është “jashtë ligjit” dhe se ASK-ja në ditët në vijim do të veprojë sipas ligjit në fuqi, duke mos thënë se çka saktësisht do të bëjë.

“(Kjo thirrje) ka pasur ndikim te pjesa veriore, kurse te pjesa jugore komuniteti serb është duke u regjistruar në mënyrë masive. Projekti i regjistrimit të popullsisë do të ecë përpara. Nëse komuniteti në atë pjesë nuk merr pjesë, ne do të bëjmë një vlerësim sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Kastrati.
Kosova më 29 prill shënon ditën e 24-të të regjistrimit dhe sipas Kastratit, procesi po shkon ashtu siç është planifikuar.

Sipas tij, ditëve të fundit është regjistruar numër më i madh i popullsisë sesa ishte e planifikuar.

“Deri dje (më 29 prill), janë regjistruar më shumë se 891.000 banorë të Kosovës”, deklaroi Kastrati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës…