“Asnjë shqiptar nuk ka mundur deri më sot të depërtojë në Senatin dhe Kongresin Amerikan”

23 dhjetor 2022 | 23:36

Në librin e tij, “E vërteta, pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”, i cili do të promovohet shumë shpejt, Ekrem Bardha, aktivist i çështjes shqiptare dhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Miçigan sjell në vëmendje një takim të veçantë me Abaz Ermenjin në Paris në vitin 1966.

Intelektuali i shquar shqiptar në mërgim, i dënuar nga regjimi komunist, kërkon angazhimin e diasporës shqiptare në SHBA për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Sipas tij, deri në atë kohë askush nuk kishte mundur të depërtonte në Kongresin dhe senatin amerikan që të lobonte në diplomacinë amerikane për çështjen e Kosovës.
Historia vërtetoi se zoti Bardha por dhe shumë aktivistë të tjerë, patriotë të diasporës, krijuan lidhjen e duhura në Kongres dhe Senat, madje deri në Shtëpinë e Bardhë për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane pro çështjes shqiptare.

EKREM BARDHA

Nxitjen për të shtuar interesin ndaj çështjes kombëtare të Kosovës do ta merrja nga Abaz Ermenji. Emrin e tij për herë të parë e kisha dëgjuar rreth vitit 1942, në moshë shumë të vogël, rreth 8-9 vjeç. Në shtëpinë time, në Radanj të Leskovikut, mësova se Abaz Ermenji ishte një profesor ri në moshë, rreth njëzet e pesë vjeç, tepër aktiv në politik mbështetës i fshatarëve, njerëzve të varfër. Kishte ide demokratike mbi të ardhmen e Shqipërisë. Ishte komandant i forcave të armatosura të Ballit Kombëtar në Skrapar, Berat etj.

Sa herë mendoja për të ardhmen e Shqipërisë, nuk e di pse krijoja një lidhje të pashmangshme me emrin e Abaz Ermenjit, me të cilin dëshiroja të shkëmbeja mendimet e mia.

U lidha në një korrespondencë të rregullt me të. Në vitin 1966, mendova të shkoja me pushime në Paris, ku vendosëm edhe të takoheshim. Dëshira për ta takuar ishte e madhe, kureshtja gjithashtu. Ai ishte njeri i politikës dhe historian. Kishte qenë kundër monarkisë së Zogut, pushtimit fashist që e internoi bashkë me Safet Butkën për shkak të demonstratës së 28 nëntorit 1939, në Korçë, ku ai ishte profesor në liceun e qytetit.

Nga Parisi i telefonova dhe vendosëm ku do të takoheshim. E dallova nga larg te po vinte. Me çantë në dorë, me hapa të ngadaltë. Vitet kishin bërë punën e tyre, por ecja kishte ende gjurmë të rinisë. Megjithëse ishte njëzet vite më i madh nga unë, dukej i ri, energjik, i rregullt në veshje, me pamjen e një intelektuali të klasit të parë.

U takuam në një restorant në qendër të Parisit. Isha së bashku me gruan time, Lumtërinë. Na përshëndeti ngrohtësisht sikur të njiheshim prej kohe. Shikimin e kishte ende të mprehtë, përvoja e një jete me tallaze i rrinte ndër sy. Zuri vend përballë nesh. Shikimi i qetë të përcillte besim. Ishte një takim emocionues për mua. Po takoja njeriun për të cilin kisha dëgjuar aq shumë në familjen tonë. I tregova me pak fjalë historinë time dhe të familjes, njohjen me personalitetin e tij që në moshë të vogël përmes rrëfimeve të Safet Butkës. I hapa zemrën për shqetësimin tim dhe të gjithë shqiptarëve në mërgim, hallin e madh që na kishte rënë për Shqipërinë.

“Të organizohemi, të punojmë me të gjitha fuqitë tona, për ta bërë Shqipërinë një vend demokratik dhe të zhvilluar”, thashë me pasion sepse ky ishte dhe qëllimi i takimit.

Po për çudi, prof. Ermenji më foli po me pasion për diçka tjetër.

ÇËSHTJA E KOSOVËS

I quajti trevat e saj jashtë territorit të Shqipërisë “një tragjedi kombëtare.” Prof. Ermenji me termin “trevat e Kosovës” nënkuptonte të gjitha trojet shqiptare nën Jugosllavi.

E dëgjova me vëmendje dhe me shumë kureshtje tablonë që paraqiti mbi historinë e Kosovës. Po shpjegonte me fakte konkrete tragjedinë e ndarjes së trevave shqiptare nga Konferenca e Londrës, erdhi deri në ditët tona duke përshkruar gjendjen e mjeruar të kosovarëve nën regjimin e Titos.

Nuk po e kuptoja me të vërtetë. Pse gjithë ai zell i tij për Kosovën, kur problemin e Shqipërisë e kishim plagë të hapur që duhej mbyllur? I kërkova ndjesë për ndërprerjen një çast dhe i thashë:

“Profesor, me gjithë dhembjen që ndiej për ndarjen e Kosovës dhe për vuajtjet e vëllezërve kosovarë, dua t’ju them se këtë takim e kërkova që të bisedojmë për problemet e Shqipërisë, për hallin e madh që na ka zënë, për ndërtimin e një sistemi demokratik atje… Si një lider i mërgatës politike shqiptare, pres nga ju të më thoni dhe të më jepni shpresë si do të arrijmë të ndërtojmë një sistem demokratik në Shqipëri…”.

Profesori më dëgjoi me qetësi. Ma kuptoi shqetësimin dhe tha:
“Megjithëse të dy jemi kundër sistemit që ekziston tashmë në Shqipëri, përsëri Shqipërinë e kemi shtet. Kurse problemi më i madh kombëtar ende i pazgjidhur mbetet Kosova…”.

Më bëri përshtypje. Unë kisha shkuar t’i flisja për demokratizimin e pushtetit në Shqipëri, ndërsa ai për Kosovën. I thashë vetes:
“Ky të jetë antikomunist!?”.

Unë kisha ikur nga Shqipëria, një vëlla e kishim lënë në burgjet e sigurimit shqiptar dhe nuk e dinim ishte gjallë apo jo. Prisja të më fliste për ngjarjet në Shqipëri. Prisja, por profesori po heshtte.

“Po Shqipëria?”, e pyeta më në fund.

“Lëre Shqipërinë!”, u përgjigj. “Shqipëria është shtet. I mirë, i keq, komunizëm apo demokraci, është shtet. Problemi është Kosova”.

“Profesor, a mund t’ju ndërpres?”, ndërhyra përsëri dhe vazhdova: “Ju keni qenë eksponent dhe gjithë jetën keni vazhduar kështu… A ka shpresë të demokratizohet Shqipëria?”.

Kur desha ta pyesja përsëri, ai shtoi qetësisht, por i vendosur:

“Nuk mund të bëhet Shqipëria shteti që duam, nëse Kosova nuk është e lirë. Mbaje mend këtë. Kthehu në Amerikë. Takohu me shokët dhe bisedoni. Kemi vetëm një rrugë, të depërtojmë në Kongresin Amerikan dhe në Senatin Amerikan. Për fat të keq, deri më sot, asnjë shqiptar, sado në pozitë që ka qenë nuk ka mundur të depërtojë në diplomacinë amerikane, qoftë të takojë një senator dhe t’i përcjellë historinë e dhimbshme të Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë atje. Pavarësia e Kosovës kalon nga Shtëpia e Bardhë. Nuk ka rrugë tjetër”.
Fjalët e tij më qartësuan. Kosova ishte kështjella që duhet të merrnim ne shqiptarët, kudo që ishim në botë, për ta bërë shtet të pavarur dhe të lirë nga zgjedha titiste.

Duke folur për regjimin e Enver Hoxhës, prof. Ermenji më argumentoi se nga Hoxha nuk priste asgjë të mirë për vendin. E kishte treguar se për pushtetin e tij, ai bënte çdo gjë. Më tregoi një fakt shumë domethënës ndodhur në rininë e tij, gjatë demonstratës së parë antifashiste të popullit të Korçës.

“Organizatorë të kësaj proteste ishim unë, Safet Butka dhe Enver Hoxha. Demonstrata u zhvillua e suksesshme, mbasi morën pjesë shumë qytetarë të Korçës dhe shumë studentë të liceut të qytetit. Kur demonstrata mbaroi qëllimin e saj dhe njerëzit u shpërndanë në shtëpitë e tyre, atëherë filluan arrestimet nga fashistët. Unë u arrestova bashkë me Safet Butkën nga italianët. Si organizatorë të rinisë korçare në manifestimin e 28 Nëntorit të vitit 1939, kundër pushtimit fashist na internuan në ishullin e Ventotenës, Itali prej ku u liruam në vitin 1941. Për çudi, Enver Hoxha, jo vetëm nuk u arrestua, por as nuk u prek nga italianët…”.

Pas shumë bisedave të tjera me prof. Abaz Ermenjin, që i mbaj mend sikur të kenë ndodhur dje, unë u ktheva në Amerikë i qartë: Rruga e zgjidhjes së problemit të Kosovës kalon vetëm nga diplomacia amerikane. Që nga ajo ditë kaluan shumë vite. E kujtoja shpesh takimin me prof. Ermenjin dhe shumë vite më pas kam kuptuar se ai e dinte para gjithë të tjerëve.

Rruga e vetme e rilindjes së kombit shqiptar ishte Amerika.

Me këtë bindje krijova me veten idenë e një lidhjeje të fuqishme mes Kosovës dhe Amerikës, i qartë se nuk kishte rrugë tjetër. Një vend shumëpopujsh që kishte krijuar kombin amerikan ku të gjithë ishin të barabartë, e ka në natyrë të dënojë regjimet e vendeve ku të drejtat dhe liritë shkelen e përbuzen.

Në ngjarjet që ndodhën në vitet 1952-195353, Abaz Ermenji ndërpret aktivitetin për të udhëhequr forcat shqiptare të hynin në Shqipëri, sepse ky mision tradhtohej nga Kim Philby.

Abaz Ermenji ishte në kundërshtim me politikën amerikane për ndërhyrjen nga toka të grupeve të armatosura, sepse ata kapeshin nga regjimi dhe ekzekutoheshin. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, Abaz Ermenjit iu ndalua hyrja në USA. Dua të theksoj këtu, që Abaz Ermenji ishte kundër ndërhyrjes së djemve shqiptarë të ashtuquajtur diversantë, në Shqipëri, pra kundër misionit anglo-amerikan, por ishte simpatizant i politikës amerikane. Më vonë, më është dashur të bëj shumë përpjekje me figura të njohura të politikës amerikane që Abaz Ermenjit t’i bëhej e mundur hyrja në Shtetet e Bashkuara.

“Ballisti dhe partizani shpëtojnë njëri-tjetrin nga vdekja”

Që në fillim të viteve 1945, ushtarët e Divizionit të Mbrojtjes arrestuan dajën tim, Kaja Vashën, duke e akuzuar se kishte drejtuar forcat e Ballit Kombëtar në zonën e Leskovikut dhe se Çeta e Safet Butkës, ku ai ishte anëtar, “kishte kryer krime të rënda ndaj popullsisë”.
Dënimi ishte me vdekje.

Pasi u dënua daja me pushkatim, kuptohet që pati pasoja të rënda edhe për ne dhe familjen e dajallarëve, të cilët detyrohen të arratisen së bashku me dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Sami dhe Niazi Bardhën, me arsyen e vetme, t’i shpëtonin burgut dhe persekutimit.

Ndërkohë të zhvillimit të shpejtë të këtyre ngjarjeve, gjithë ata që e njihnin Kajain, thoshin se ai nuk meritonte dënim aq të rëndë.

Por një fjalë e urtë popullore thotë se e mira dhe e keqja nuk harrohen kurrë.

Gjatë viteve të luftës, në një betejë me armë midis forcave të Ballit dhe forcave partizane, një djalë i ri nga Leskoviku, Petrit Shehu, u plagos rëndë dhe shokët e tij partizanë nuk mundën ta shpëtonin. Forcat e Ballit e kapën rob dhe ballisti Syrja Frashëri u bë gati ta ekzekutonte në vend të plagosurin. Aty u ndodh daja im,

Kajai, i cili ndërhyri menjëherë.
“Kush ngre dorë mbi partizanin e plagosur, do të më përgjigjet mua!”, tha prerë.
Edhe pse kishin bindje të ndryshme politike, partizan Petrit Shehu ndodhej i plagosur, prandaj ata duhet ta ndihmonin të shërohej.

Në asnjë vend të botës robi nuk vritet, se nuk e lejon as ligji i njeriut, as i perëndisë”, kishte thënë Kajai dhe e kishte nisur me makinë në Spitalin e Korçës.

Për fat të mirë, Petrit Shehu u shërua dhe iku përsëri te shokët e tij partizanë.

Kjo që do tregoj është e çuditshme për atë kohë, por e vërtetë.

Në gjyqin e Korçës që dënoi me vdekje Kajain, partizani Petrit Shehu u tregua i guximshëm dhe e quajti detyrë morale të deklaronte para trupit gjykues se jetën e tij, ia detyronte ballistit Kaja Vasha. Me atë dëshmi, Petrit

Shehu e tregoi veten njeri me karakter të lartë dhe komunist të ndershëm.

Nga deklarata e tij lihej të kuptohej se në radhët e Ballit Kombëtar, kishte njerëz të ndershëm, me ideal bashkimin për një Shqipëri të lirë.

Përshtypje të madhe në Leskovik la dhe veprimi i nënës së Petrit Shehut.
Sapo gjyqi pavarësisht dëshmisë së partizanit, e dënoi Kajain me vdekje, nëna e Petrit Shehut shkoi në Korçë dhe nuk la zyrë pa trokitur, duke thënë se është e padrejtë të vritet Kaja Vasha që kishte shpëtuar djalin e saj partizan nga vdekja.

Qoftë nga ndonjë relacion që dërgoi qarku i Korçës për protestën e saj, qoftë sepse Gjykata e Lartë e vlerësoi deklaratën e Petrit Shehut, Kajait ia kthyen dënimin nga me vdekje, në burgim të përjetshëm.
Në familjen tonë besonim se fjala e Petrit Shehut dhe nënës së tij kishte zënë vend.

Fati deshi që Petrit Shehun ta takoja gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri. I dhashë të falat e dajës Kaja, i cili kishte ardhur në Amerikë në vitet 1958. I thashë se Kajai i ishte mirënjohës për dëshminë në gjyq. Mu përgjigj me modesti dhe sinqeritet se do ta vriste ndërgjegjja gjithë jetën po të kishte vepruar ndryshe.

“Kajait i kisha një borxh moral dhe çlirova ndërgjegjen, kur ia ktheva pjesërisht”, më tha Petrit Shehu.
“Po të kishte pasur Shqipëria më shumë burra të tillë nga të dyja krahët, sot do të ishim ndryshe”, i thashë duke u ndarë.

Petriti e miratoi në heshtje.
Historia i ruan në heshtje, me vërtetësi dhe si mesazhe me domethënie të mëdha këto fakte…

(Redaktor dhe konsulent i librit, Bedri Zenel Islami)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Publiku ka vendosur që banori i radhës që duhet ta…