Asociacioni serb – mikroshtet në shtet!

07 dhjetor 2021 | 13:39

Hasan Mujaj

“Asociacioni do ta kërcënonte integritetin territorial të Kosovës”. J. Bugajski

Asociacioni qe gabim i madh politik. Tejet i madh. Sepse, ai nuk qëllimonte të siguronte më shumë të drejta për qytetarët serbë të Kosovës nga fakti se të gjitha të drejtat i kanë si: nacionale, kulturore, arsimore, fetare etj. Këto të drejta i mohon vetëm propaganda destruktive e Beogradit zyrtar në krye me Vuçiqin – vijuesin besnik të politikës së Milosheviqit. Kështu, ditë më parë, kjo propagandë shterpë e fiktive u pa edhe nga fjalimi i ministrit serb N. Selakoviq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB- së ku tha: “Serbët e Mitrovicës përditë kanë dhunë; po bëhet diskriminim ndaj serbëve”. etj.
Porse, tashmë obstruksionet e zyrtarëve serbë janë zhveshur nga trillimet e improvizimet dhe nuk janë të qëndrueshme, nuk janë të besueshme; ato i fundosi realiteti demokratik në Kosovë. Megjithëkëtë, kërshëria dhe aspirata e hegjemonisë serbe vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë. Këto pretendime antishqiptare të politikës serbe (të politikës shtetërore) kohën e fundit po shihen e po kritikohen nga disa qarqe intelektuale, shkencore, demokratike, të paqes e të stabilitetit europian, amerikan etj.
Nga qarqet e këtilla po shihet e po vëzhgohet politika e Rusisë së vogël, d.m.th. e Serbisë, e cila me të drejtë po kualifikohet si strategji e interesit, e përfitimit territorial dhe ekonomik që kërcënon paqen në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.
Kështu drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia David Filips, përkitazi me tendencat politike të Beogradit ndaj Kosovës, ndër të tjera, tha: “Serbët kanë mjaft të drejta në Kosovë. Asociacioni është i tepërt. Kosova duhet të kërkojë të drejta për shqiptarët e Preshevës siç kanë serbët në Kosovë”. Profesori universitar D. Filips, theksoi se serbët në Mitrovicë aq janë të privilegjuar, saqë Qeveria e Kosovës ua paguan edhe rrymën elektrike që e shpenzojnë familjet e atjeshme serbe rreth tetë milionë në vit! Rast “sui generis” në botë!
Pse kërkohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive me kaq nxitim e me absolutizëm? Politikë apolitike! Shumë e thjeshtë. Vetëm kush nuk do ta kuptojë si Lajçak që madje tha: “ta ndryshoni Kushtetutën për ta formuar Asociacionin!” Pastaj Borrel, Petkoviq, Drecun etj. Përgjigjen në pyetjen retorike lart e dinë edhe filloristët. Pra, nuk bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, por për territor në shtrirjen rreth 1. 210 km 2., afërsisht rreth 17 % të sipërfaqes së Kosovës.
Të gjithë ata që e kërkojnë Asociacionin në realitet tumirin politikën e Beogradit zyrtar që është platformë për të rrëmbyer një pjesë të Kosovës për të trupëzuar Serbinë e Madhe! Këtë e di mirë edhe Brukseli. Vuçiqi e ka thënë disa herë: “nuk lejojmë që Kosova t’i marrë të gjitha e Serbia asgjë”. Konstatim shumë frapant! Kokonstituent i kësaj politike është edhe M. Dodik në Bosnjë. Të dy, nga Brukseli dhe Amerika, do të duhej të shpalleshin “non grata”, sepse po e rrezikojnë paqen në Ballkanin Perëndimor!
Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë pjesë në bisedimet, temë trajtimi e të cilave do të vihej Asociacioni i serbëve të Kosovës, i cili është hapi i parë për të formuar një mikroshtet në shtet që më pas, do të bëhej tok me Serbinë. Ky është prioritet parësor i politikës së Beogradit zyrtar për Kosovën. Ky synim është fakt që u pa nga veprimet anarkike e vandaliste të serbëve në pikat e doganave në Jarinjë e Bërnjak, veprime këto të gjitha të nxitura nga politika destruktive e Qeverisë serbe, e cila, sipas diktatit të Vuçiqit, kërcënoi integritetin shtetëror të Republikës së Kosovës dhe ekspozoi teknikën ushtarake me tanke dhe avionë të luftës në afërsi të kufirit me Kosovën.
Kryetari i Serbisë grishi publikisht serbët lokalë që të vendosin barrikada në rrugët kryesore për ta penguar policinë e Kosovës në detyrat zyrtare madje solli njerëz edhe nga Beogradi si përforcim fizik dhe u tha: “Serbia është me ju!” si qëndrim etik. Vargut të gjatë të kriminelëve serbë u printe Goran Rakiq.
Kështu u vetëdemonstrua haptazi qëllimi i politikës serbe për ta aneksuar një pjesë të territorit të Kosovës. Ky pra është Asociacioni i komunave serbe që drejtohen nga Vuçiqi, Rakiqi etj.
Sa i përket kërkesës me të madh ngulm të Vuçiqit, të Petkoviqit etj. për formimin e Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, zyrtarët serbë së pari duhet të dëshmojnë se cilat të drejta u mungojnë serbëve të Mitrovicës e të Kosovës për t’u parë publikisht se a është i arsyeshëm Asociacioni. Republika e Kosovës e ka Asociacionin e komunave në të cilin mund të futen edhe komunat me shumicë serbe. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti paraqiti qëndrimin tërësisht të bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës se nuk do të ketë Asociacion të ndarë sipas përkatësisë etnike ngase do të ishte shkelje e sistemit juridik të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka si qëllim t’i integrojë të gjitha nacionalitetet pakicë me shumicën shqiptare në një shtet shumetnik, demokratik e ligjor sikundër është Kosova.
Zyrtarët e Beogradit është më mirë ta thonë të vërtetën dhe e vërteta është: Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të thotë vendosja e themelit juridik të shkëputjes së katër komunave nga Kosova madje, për të qenë ironia edhe më e madhe, me pëlqimin e Kosovës, që në të ardhmen t’i bashkohen Serbisë.
J. Bugajski, analist i spikatur i politikës europiane, anëtar i Qendrës për Analiza të Politikës Europiane (CEPA) me seli në Uashington, duke folur për situatën politike në Ballkanin Perëndimor, veçoi posaçërisht Kosovën dhe, ndër të tjera, tha: “Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të shndërrohet në një Republikë Srpska të re. Asociacioni do ta kërcënonte integritetin territorial të Kosovës”, tha ai. Aksiomë. Stil pregnant. Nuk ka mbëhi për zbërbërje semantike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë…