BE-ja shpërfilli Kosovën me mosliberalizim të vizave

07 dhjetor 12:42

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se shtyrja e liberalizimit të vizave më shumë ka të bëjë me rrethanat politike të Bashkimit Evropian (BE) sesa me Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se BE-ja nuk i ka përmbushur premtimet si dhe ka shpërfillur Kosovën duke mos i liberalizuar vizat.

Megjithatë, Hoxhaj ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta vazhdojnë betejën që çështjen e vizave ta vendosin në agjendën e radhës të Këshillit të Ministrave të BE-së.

Ai ka theksuar se përderisa deputetët e Parlamentit Evropian thonë se Kosova i ka përmbushur kriteret, vlerësimet në Prishtinë janë të paarsyeshme dhe kanë të bëjnë me luftën për pushtet e cila, sipas Hoxhaj, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave, nuk i bën nder askujt

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, ju dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë në vazhdimësi keni shprehur optimizëm se brenda këtij viti do të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, por një gjë e tillë nuk u realizua. Pse Kosovës nuk iu hoqën vizat?
Hoxhaj: Kjo pyetje e ka përgjigjen në Bruksel. Përgjigjja jonë është se janë plotësuar të gjitha kriteret, nga kriteri i parë deri në kriterin e 95-të. Ka pasur shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian të cilët kanë deklaruar se nëse Kosova i plotëson dy kriteret e fundit do të shpërblehet në këtë proces. Në vitin 2016 kemi pasur një raport të vlerësimit pozitiv pa dy kriteret e fundit dhe në vitin 2018 Komisioni Evropian ka dalë me një vlerësim pozitiv se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe Parlamenti Evropian mund ta votojë këtë rekomandim. Një votë e tillë ka ndodhur. Tash përgjigjja është në Bruksel dhe më shumë ka të bëjë me rrethanat politike të vet BE-së sesa me Kosovën. Por, natyrisht se një vendim i tillë nuk është asgjë tjetër veçse shpërfillje e Kosovës dhe mospërmbushje e premtimeve të BE-së.

“Epoka e re”: Pra, BE-ja është fajtore për dështimin e liberalizimit të vizave?
Hoxhaj: Isha shumë i qartë në atë që thashë. Është mospërmbushje e premtimeve dhe shpërfillje e Kosovës. Ndërsa neve na mbetet të shohim se a do të mund të vendoset në agjendën e radhës të Këshillit të Ministrave të BE-së. Kjo është beteja që duhet ta vazhdojnë institucionet e Kosovës. Qytetarëve të Kosovës u takon që ta gëzojnë një të drejtë të tillë. Çfarë do të duhej të bënte Kosova, e ka bërë. Procesi ka qenë teknik dhe ne kemi pritur që në fund të këtij procesi të kemi një vendimmarrje politike, mirëpo ne flasim në emër të Kosovës, por nuk mund të flasim në emër të Bashkimit Evropian.

“Epoka e re”: Opozita po e bën përgjegjëse Qeverinë për dështimin e liberalizimit të vizave, madje me kërkesë të saj të martën është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme, ku është kërkuar llogari për këtë çështje, duke iniciuar edhe miratimin e një rezolute. Si i komentoni këto reagime dhe a duhet të votohet kjo rezolutë?
Hoxhaj: Procesi i përmbushjes së kritereve duhet të shihet në tërësi. Kanë qenë disa Qeveri dhe disa parti politike që kanë dhënë kontributin e tyre. Përtej punës që kemi për të qenë në shërbim të qytetarëve, qeveria aktuale e ka dhënë maksimumin që vërtet të përmbushen të gjitha kriteret. Nëse deputetët e Parlamentit Evropian dalin dhe thonë si dhe i shkruajnë letër Këshillit të Ministrave të BE-së dhe presidencës austriake të BE-së se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, ma merr mendja se çdo vlerësim në Prishtinë është i paarsyeshëm dhe është më shumë pjesë e luftës për pushtet e cila, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave, nuk i bën nder askujt.

“Epoka e re”: Do ta votojnë deputetët e PDK-së këtë rezolutë?
Hoxhaj: Absolut jo.

“Epoka e re”: Një pjesë të përgjegjësisë për dështimin e liberalizimit të vizave e ka edhe opozita?
Hoxhaj: Debati në Kosovë, se kush është përgjegjës për liberalizimin e vizave, është i pavend, nuk përkon me realitetin, është i padrejtë dhe flet më shumë për kulturën dhe pjekurinë tonë politike të cilën nuk ia kisha dashur këtij vendi. Kosova e ka bërë atë që është dashur ta bëjë. Vendimmarrja në Bashkimin Evropian është e institucioneve të BE-së, por edhe e shteteve anëtare. Disa shtete anëtare haptas kanë dalë kundër procesit të liberalizimit të vizave që për mua ka qenë absurde, sepse jemi duke folur për një grusht njerëzish të cilët edhe më tutje janë të izoluar dhe jemi duke folur për një proces teknik i cili duhet të përmbyllet me një vendimmarrje politike. Natyrisht se Qeveria e Kosovës mund të kritikohet për çdo gjë, por jo për liberalizim të vizave. Mendoj se në këtë aspekt duhet të jemi të gjithë në një qëndrim se e kemi kryer punën, por BE-ja nuk i ka njohur këto merita. Tash e tutje na mbetet të vazhdojmë dhe të bëjmë përpjekje që ta krijojmë një momentum të ri në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave të BE-së.

“Epoka e re”: Komisionari Hahn gjatë qëndrimit në Prishtinë ka përmendur 2020 si vit optimal për heqjen e regjimit të vizave. Duke pasur parasysh zgjatjen e deritanishme të procesit, ka rrezik që vizat mos të hiqen deri atëherë?
Hoxhaj: Nuk dua të hyj në fushën e spekulimeve dhe nuk dua ta komentoj fare deklaratën e komisionarit Hahn. Ai fol në emër të BE-së, ne flasim në emër të Kosovës.

“Epoka e re”: A duhet të shqyrtojë Kosova qasjen ndaj BE-së meqë kjo e fundit nuk i ka realizuar premtimet si dhe nuk e ka shpërblyer konstruktivitetin e Kosovës?
Hoxhaj: Nëse dikush e lexon drejt realitetin politik dhe vendimet që i kemi marrë në javët e fundit jemi më se të qartë. Ne këto qëndrime i kemi ndjekur në çdo takim. Unë kam qenë një prej atyre që ka qenë më i zëshmi prej korrikut dhe gushtit, se më është thënë në atë kohë se realisht edhe nëse vendos Parlamenti Evropian pozitivisht, shtetet anëtare kanë hezitimet e tyre. Nuk kemi lënë gurë pa lëvizur që kjo çështje të mbyllet suksesshëm, nuk ka vendimmarrje në dhjetor, por do të shohim se kur do të mund të jetë vendimmarrja e radhës. Unë nuk kisha hyrë në një cikël të bartjes së përgjegjësisë sa isha koncentruar se si ta bëjmë një kthesë dhe ta kemi një depërtim drejt një vendimmarrje pozitive.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, si e shini vazhdimin e procesit të dialogut pas këtyre zhvillimeve të fundit, po shohim një qasje pak më afruese të PSD-së, por jo edhe të LDK-së dhe LV-së për këtë proces?
Hoxhaj: E çmojmë shumë qasjen që e ka Partia Socialdemokrate (PSD) në raport me dialogun. Besoj se është sjellje dhe vetëdije shtetërore dhe në një seancë të radhës do të shohim se si mund të përafrohet qëndrimi i tyre me qëndrimin e partive të koalicionit qeverisës. Dialogu nuk është një temë që i takon vetëm Qeverisë, natyrisht se Qeveria ka rol dhe kompetenca në politikën e jashtme, por dialogu, epilogu i dialogut, marrëveshja, dhe zbatimi i marrëveshjes kanë efekt afatgjatë për jetën tonë politike, prandaj këtu duhet ta shohin veten përgjegjës Qeveria dhe opozita. Një pjesë e opozitës e cila dëshiron që të ketë rol determinues në dialog është diçka që duhet të çmohet. Besoj se brenda dhjetorit mund të ketë ndonjë seancë ku mund të votohet ekipi i cili do të duhet që së bashku me presidentin Thaçi ta udhëheqë dialogun në një fazë të rëndësishme të përmbylljes së shtetndërtimit përmes njohjes së ndërsjellët dhe të kompletimit të sovranitetit nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në OKB.

“Epoka e re”: A mendoni se Kosova më në fund mund do ta arrijë unitetin politik për procesin e dialogut me Serbinë?
Hoxhaj: Është një momentum i ri. Të shohim tash se si ky momentum i ri i cili reflekton vullnetin e partive politike mund të jetësohet në Kuvendin e Kosovës përmes një rezolute, një ekipi dhe një platforme në të ardhmen se si Kosova të hyjë në një qartësi strategjike. Por, një gjë qëndron, se dialogu duhet të shihet prioritet prej çdokujt në Kosovë, ndërsa PDK-ja si parti tradicionale do ta japë maksimumin që ta nxjerrë më të mirën e mundshme për Kosovën në këtë proces. Është një temë jopopullore dhe mund të flitet për ngecjet që ka pasur Kosova në dialog, për marrëveshjet e nënshkruara, për marrëveshjet e pazbatuara, për lojën dyfytyrëshe që po e bën Serbia në raport me Kosovën. Është jetike që të tregojmë një pjekuri politike dhe vetëdije shtetërore dhe sa t’i ruajmë arritjet që i ka pasur Kosova në dhjetë vjet e fundit, po aq edhe ta lëvizim vendin drejt një fazë të re.

“Epoka e re”: Është shtuar presioni ndaj Qeverisë për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, por jo edhe ndaj Serbisë e cila nuk po lë gurë pa lëvizur për ta goditur Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Hoxhaj: Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë: taksa mbetet në fuqi. Duhet fillimisht të shikohen arsyet dhe shkaqet se si kemi ardhur deri te taksa, mandej si Qeveri kemi vullnet dhe fleksibilitet që ta rregullojmë një gjë të tillë. Por, përderisa Serbia e godet Kosovën ndërkombëtarisht, e cenon dhe e lëndon sovranitetin tonë të jashtëm, ne si vend kemi qenë të detyruar të sillemi në këtë formë. Kjo është qasja jonë.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në…