Berisha: E mposhtim edhe Llapin

24 gusht 2018 | 17:52

Ish-lojtari më i mirë në Kosovë, Visar Berisha, që ka bërë karrierë edhe në futbollin zviceran, ka thënë se Ballkani do të mposhtë në fundjavë skuadrën e Llapit.

Mbrojtësi i KF Ballkani, Visar Berisha, është shumë i lumtur se skuadra e tij u rikthye në elitë me fitore. Skuadra nga Suhareka në ndeshjen e parë e mposhti Lirinë në Prizren (0-1). “Ndeshja me Lirinë ishte një derbi lokal dhe ne e kishim përgatitur ndeshjen në detaje duke e ditur se jemi duke u përballur me një ekip me përvojë, por ne besuam në forca dhe cilësi tona. Loja ishte e dominuar tërësisht nga ne si me raste ashtu edhe me kontroll të lojës dhe në fund na u shpërblye mundi”, ka thënë Berisha.

Ndeshjen e radhës skuadra e Ballkanit e zhvillon si vendës kundër Llapit, kurse lidhur me këtë ndeshje sulmuesi i Llapit, Fiton Hajdari, ka paralajmëruar se futbollistët e Bylbyl Sokolit synojnë rezultat pozitiv. “Ndeshja ndaj Ballkanit do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi duke u përgatitur për këtë përballje dhe mendoj se do të marrim rezultat pozitiv”, ka deklaruar Hajdari.

Atij i është kundërpërgjigjur Visar Berisha, i cili është i bindur se tri pikët e plota do t’i takojnë skuadrës së Ballkanit. “Jemi ekip i ri në Superligë, por me ambicie të larta për pjesën e epërme të tabelës. Ndeshjes ndaj Llapit do t’i qasemi seriozisht dhe synim e kemi t’i marrim tri pikët e plota. Ekipi është i kompletuar dhe atmosfera është mjaft e mirë. Jemi duke punuar me intensitet të lartë që ta nisim mirë edhe ndeshjen e parë si vendës. Presim një numër të madh të ‘Xhebrailave’”, ka deklaruar ai.

Visar Berisha është një nga mbrojtësit më të mirë të pasluftës në futbollin e Kosovës. Ai në kohën kur ishte pjesë e Prishtinës e fitoi epitetin e lojtarit të vitit në Kosovë dhe më pas u transferua në Zvicër ku nuk mundi ta shfaqë gjithë potencialin për shkak të problemeve me lëndime. Kampionatin e kaluar luajti për Drenicës dhe në afatin kalimtar të janarit, pas një oferte bindëse nga Ballkani, vendosi të rikthehet në këtë klub për ta udhëhequr në rikthimin në elitë.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poetja nga Vushtrria, Kimete Zahiti - Tërnava, e cila jeton…