Besa e Prishtina kërkojnë fitore në derbi

22 shkurt 2020 | 10:50

Derbi i kësaj jave në Superligën e Kosovës në hendboll do të zhvillohet në Pejë në mes të Besa Famgas dhe Prishtinës.

Ndeshja e rëndësishme në garën për titull luhet nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Besa ka fituar të gjitha 15 ndeshjet e deritashme dhe prinë në tabelë me 30 pikë, ndërsa Prishtina është e dyta me 28 pikë. Humbjen e vetme Prishtina e ka pësuar nga Besa.

“Jemi të gatshëm ta presim Prishtinën të shtunën. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Nuk kemi ndonjë lëndim. Do të mundohemi të tregojmë lojë të mirë, që i ka hije një derbi. Ne të shtunën e vazhdojmë traditën e fitoreve”, ka thënë trajneri i Besa Famgas, Arben Muqolli. Ndërsa skuadra nga kryeqyteti po synon t’i hakmerret skuadrës së Besës për humbjen në ndeshjen e parë. Trajneri Taib Kabashi ka thënë se në Pejë udhëtojnë për fitore.

“Gjithmonë ndeshjet në mes të Prishtinës dhe Besës kanë qenë të forta dhe interesante. Asnjëherë nuk është ditur fituesi deri në minutën e fundit. Edhe këtë herë pritet të jetë lojë e fortë dhe përcaktuese për vendin e parë. Takohen dy ekipet më të mira në Superligë për momentin, i pari me të dytin. Besa është në përparësi të lehtë, por ne jemi përgatitur në të gjitha aspektet për këtë derbi. Në Pejë udhëtojmë vetëm për fitore. I dimë përparësitë dhe dobësitë e Besës. Do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht”, ka thënë Kabashi.

Sot (e shtunë) është edhe ndeshja në mes të Kastriotit dhe Llapit, që fillon në orën 14:30. Dy ndeshjet e fundit të javës së 16-të janë të dielën: Trepça – Drenica (17:00), Drita – Prizreni (18:00).

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy klubet që takohen në gjysmëfinale të Kupës, Drenica dhe…