Prishtina kërkon pikët maksimale në Drenicë

22 shkurt 2020 | 10:19

Dy klubet që takohen në gjysmëfinale të Kupës, Drenica dhe Prishtina, do ta ndajnë mejdanin sot (e shtunë) në kuadër të Superligës. Kryeqytetasit kanë paralajmëruar se udhëtojnë në Skenderaj për tri pikë, por synim për rezultat pozitiv ka edhe skuadra kuqezi.

Dy klubet elitare të futbollit, Drenica dhe Prishtina, takohen sot (e shtunë) në kuadër të javës së 19 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Këto skuadra do të takohen edhe në gjysmëfinale të Kupës.

Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, e ka vlerësuar të fortë përballjen me Prishtinën, por është i vetëdijshëm se nuk do të jetë lehtë për faktin se do të ketë mungesa. “Kemi një kundërshtar që është pretendent për titull dhe cilësor, prandaj do të jetë ndeshje e vështirë. Ne do të hyjmë me shumë vetëbesim ani pse kemi shumë mungesa për këtë ndeshje”, ka thënë Sejdiu.

Në ndeshjen e parë të sezonit pranveror Drenica pësoi humbje nga Ballkani (3-0), kurse Prishtina shënoi fitore ndaj Vushtrrisë (4-0). Për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj foli edhe futbollisti i Prishtinës, Diar Miftaraj.

“Pres lojë të vështirë, sepse Drenica tradicionalisht është kundërshtare e papërshtatshme. Jemi maksimalisht të përgatitur për ta vazhduar serinë e fitoreve, sidomos pas dy ndeshjeve rresht të fituara me Vushtrrinë. Atmosferën në ekip e kemi shumë të mirë dhe fitorja eventuale vetëm sa do ta ngritë edhe më shumë për të vazhduar drejt titullit kampion”, ka thënë Miftaraj për faqen zyrtare të klubit.

“Sa i përket meje, dihet se tash e një kohë jam duke u paraqitur në rolin e qendërmbrojtësit, ashtu ka vendosur trajneri, ndërsa unë po përpiqem ta jap më të mirën për ekipin. Unë do të paraqitem aty ku do të më urdhërojnë dhe besoj shumë se jam duke e kryer mirë punën deri tash”, ka shtuar Miftaraj.

Krahas kësaj ndeshje sot (e shtunë) nga ora 13:00 zhvillohet edhe dueli tjetër në mes të Llapit dhe Feronikelit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Skenderaj. Tri ndeshjet e tjera zhvillohen nesër (e diel).

IPKO SUPERLIGA – Java 19

Vushtrria – Drita 2-3

Të shtunën takohen:
13:00 Llapi – Feronikeli
13:00 Drenica – Prishtina

Të dielën takohen:
13:00 Ballkani – Ferizaj
13:00 Gjilani – Flamurtari
13:00 Trepça ’89 – Dukagjini

LIGA E PARË – Java 17

Të shtunën takohen:
Drenasi  – Vëllaznimi
KEK-u –  Liria
Ramiz Sadiku – Arbëria

Të dielën takohen:
Malisheva – Vllaznia (P)
Besa – Vitia
Ulpiana – Trepça
2 Korriku – Dardana
Onix – Istogu

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë sot humanisti i shquar, doktori i luftës,…