BREZOVICA – FSHATI TURISTIK QË UDHËHIQET NGA SERBËT E VIZITOHET NGA SHQIPTARËT

21 janar 11:54

Shkruan: Berat Luzha

Brezovica është një fshat i komunës së Shterpës, është qendra më e njohur turistike, është vendpushimi dhe qendra më e madhe e skijimit në R. e Kosovës e më gjerë. Kjo qendër bënë pjesë në Parkun Kombëtar të Sharrit dhe shtrihet në gjiun e maleve të larta të Sharrit dhe në zonën e Syrinikës, vetëm 3 km nga qendra komunale e Shterpcës, 12 km nga fshati turistik i Prevallës, 37 km nga Prizreni dhe 27 km nga Ferizaj. Fshati shtrihet në shpatijet e maleve në lartësi mbidetare nga 900 deri 2522 metra.

Qendra turistike, e ndërtuar në vitin 1954, dhe qendra skitare, e ndërtuar në vitin 1976, është 12 km nga fshati i Brezovicës. Qendra e skijimit shtrihet në 2500 hektarë dhe në lartësi mbidetare 1718 – 2522 m. Brenda kësaj hapësire janë shtigjet e skijimit me gjatësi mesatare 4 km. Qendra e Skijimit e Brezovicës deri tash ka organizuar dy kampionate evropiane në skijim (1980 dhe 1990) dhe nëntë kampionate shtetërore. Kjo qendër është e hapur në të gjitha stinët e vitit, edhe pse verës sipërfaqet me borë zvogëlohen shumë.

Në qendrat e skijimit shkohet me teleferik. Stacioni i nisjes së teleferikut ndodhet në Livadhin e Madh, në lartësinë prej 1718 m., ndërsa stacioni i daljes është në lartësinë prej 2212 metra lartësi mbidetare.

Është interesant që Qendra e Skijimit udhëhiqet nga serbët kurse vizitohet rregullisht dhe pa probleme nga shqiptarët. Megjithatë, në të kaluarën e afërme ka pas raste të ndalimit të garave zyrtare të skijimit të organizuara nga Federata Skitare e Kosovës, sepse kushtëzohej që gjatë garave të mos shfaqeshin simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në hyrje të Qendrës Skitare ishte vendosur laura apo trani, në mënyrë që vizitorët të detyroheshin të paguanin taksë të paligjshme. Sot duket se këtu nuk ka politikë, por politika e ka udhëhequr qendrën në 20 vjetët e fundit. Brezovica është njëra nga kompanitë ku Serbia ka pas ndikim të plotë menagjues.

Kompleksi Turistik i Brezovicës është një pasuri ende me status të padefinuar, apo ende e mbetur si ndërmarrje shoqërore. Para disa viteve Agjencia e Privatizimit e Kosovës kishte tentuar ta jepte me koncesion këtë kompleks turistik, mirëpo procesi ka dështuar për shkak të ndërhyrjes nga Beogradi. Në vitin 2014 një konsorcium francez, me një grupim kompanish të mëdha të huaja, ishte shpallur fitues me një çmim blerës prej 410 milionë eurosh, me detyrim që gjatë 17 viteve nga 700 shtretër të bëhen 7000 dhe që Brezovica të bëhej njëra nga zonat më të mëdha skitare në Ilirik. Por, konsorciumi pak më vonë kishte njoftuar se nuk kishte mjaft financa për zbatimin e fazës së parë të projektit për Brezovicën. Në realitet, ishte ndërhyrja nga Beogradi, e shprehur përmes një shkrese dërguar kompanive të përfshira në koncesion, duke i kërcënuar ato edhe me padi, ngase gjoja ato po e blenin pasurinë e huaj, të Serbisë, të uzurpuar nga shqiptarët. Dështimi i dhënies me koncesion të Kompleksit Turistik të Brezovicës i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme ekonomisë së Kosovës.

Pas luftës, ndërmarrja shoqërore “Inex”, pronare e kompleksit turistik të Brezovicës, i ka ndaluar të gjitha investimet, madje edhe ato për mirëmbajtje. Kështu, pasuri e madhe e Kosovës po braktisej e shkatërrohej. Pothuaj u braktis edhe hoteli kryesor me pesë yje, “Narcis”, kurse teleferikët nuk funksiononin.

Në rrugën nga fshati deri në Qendrën e Skijimit ka shumë shtëpiza apo vila, kryesisht me pronësi të shqiptarëve, një pjesë e të cilave janë ndërtuar e po ndërtohen pa leje mjedisore dhe në kundërshtim me ligjin. Ndërtimi i vilave kundërligjshëm ka degraduar natyrën në hapësirën e parkut kombëtar, konkretisht në qendrën më të madhe të turizmit dimëror. Pos qindra shtëpive e vilave private, disa prej të cilave lëshohen me qira, janë edhe katër hotele e shumë objekte tjera hoteliere me gjithësej 700 shtretër. Vlenë të përmendim hotelin e kategorisë së parë, “Narcis” në fshatin Brezovicë, që ndodhet në lartësinë 900 m. dhe hotelin e kategorisë B “Molika” pranë shtigjeve të skijimit dhe në afërsi të bazës së teleferikut, në lartësi mbidetare 1750 metra.

Pyjet shekullore e kullotat e gjera janë të pasura me barëra mjekësore dhe lloje të rralla të kafshëve të egra. Ka kushte të favorshme klimatike dhe hapësirë ideale për turizëm dimëror, sportiv dhe shëndetësor, kurse gjatë verës turistët lidhen ngushtë me natyrën përmes ecjeve të organizuara nëpër shtigje malore, ekskursione, gjueti etj.

Si njëri nga destinacionet më të vizituara gjatë dimrit, viteve të fundit vizitorët gjithnjë e më shumë po shtohen. Numri i vizitorëve është i madh, veçanërisht në stinën e dimrit dhe në ditët e fundjavës. Vendi zhurmon nga mijëra vizitorë dhe automjete në ditë. Brenda një fundjave në Brezovicë shkojnë 2000 – 3000 vizitorë ndërsa gjatë sezonit turistik dimëror shkojnë më shumë se 100 mijë vetë. Kohëve të fundit në Brezovicë shohim gjithnjë e më shumë vizitorë nga Shqipëria.

Brezovica është qendër turistike ideale e përmasave evropiane. Ka terren malor, pyje të larta e florë e faunë të llojllojshme. Aty na paraqitet një pamje e mahnitshme e bukurive të rralla natyrore.

Perla e Ilirikut, margaritari i turizmit dimëror ende pret dorën e shtetit, dorën që nuk erdhi apo u pengua që nga paslufta e Kosovës.

Mund të jetë një imazh i borë, mal, pemë dhe natyra

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i 4 persona, mal, persona që bëjnë ski dhe borë

Mund të jetë një imazh i 1 person, duke bërë ski dhe borë

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme dhe teksti

Mund të jetë një imazh i Rrëpirë për ski

Mund të jetë një imazh i 4 persona, borë, mal dhe rrugë

Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë, borë, duke bërë ski dhe natyra

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banori ka befasuar teksa fliste me partneren e tij. Donaldi…