Çfarë përmbante aktakuza e fabrikuar për tetë ushtarët e Kazermës së Paraqinit? (13)

29 janar 2021 | 11:01

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie

Shkruan: Lulzim Sahiti

Për shtatë shokët e Azizit dhe të një ushtari nga Bosnjë e Hercegovina, periudha e hetimeve për hartimin e aktakuzës në Gjykatën Ushtarake të Nishit kishte nisur në fillim të shtatorit duke vazhduar deri në fund të muajit dhjetor të vitit 1997. Aktakuza e parë (dy faqe) ishte ndërtuar si “grup i organizuar me motive politike kundër Jugosllavisë”. Në këtë aktakuzë i pari në listë ishte përfshirë shoku i ngushtë i Azizit, Afrim Mehmeti e, pas tij, të tjerët. Diku pas një muaji kishte ndryshuar gjithçka. I pari ishte radhitur Rizah Xhakli e të tjerët pas tij. Kjo kishte ndodhur pas grumbullimit të të dhënave nga Kosova, ku familja Xhakli ishte në listën e familjeve të përndjekura në vazhdimësi nga regjimi serb, prandaj jorastësisht ishte vendosur të ndëshkohej në krye të grupit. Kësaj radhe aktakuza ishte ndërtuar për “vepër penale të vrasjes nga nxitjet armiqësore ndaj RSFJ-së – në ndihmë, nga neni 122, lidhur me nenin 24-t të Ligjit Penal të RSFJ-së…”.

Më 7 dhjetor 1987 (IK nr. 135/87) nga prokurori ushtarak, koloneli Zhivotije Bojiq, tetë të akuzuarve ua kishte dorëzuar aktakuzën e dytë, të shkruar me makinë shkrimi në 11 faqe të formatit A4.

Më 11 janar të vitit 1988, në Gjykatën Ushtarake të Nishit, filloi procesi politik i montuar fund e krye me akuza të kurdisura, të sajuara dhe të trilluara, por tash e zgjeruar në 167 faqe të formatit A4. Me këtë rast u bë shqyrtimi kryesor rreth gjykimit të tetë ushtarëve të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) të akuzuar për pjesëmarrje dhe ndihmë më 3 shtator 1987 në ngjarjen e zhvilluar në Kazermën e Paraqinit që shkaktoi ushtari Aziz Kelmendi. Në aktakuzën e ngritur nga prokurori ushtarak, koloneli Zhivotije Bojiq thuhet: “Të akuzuarit Rizah Xhakli, Abdylxhemil Limani, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu, Shefqet Paçarizi dhe Enver Behluli, derisa ishin në shërbimin e afatit ushtarak në garnizonin e Paraqinit, më 2 shtator 1987, rreth orës 19.00, në fushën e basketbollit, e cila gjendet në rrethin e kazermës, ku ishin edhe Islam Mahmuti e Aziz Kelmendi, kanë dëgjuar se si ky i fundit, ushtar në postën ushtarake 7518 do t’i vrasë atë natë ushtarët Safet Dudakoviq e Milorad Vukoviq dhe se do t’i vrasë të gjithë ushtarët e postës ushtarake 5313 në Paraqin, duke kërkuar me këtë rast ndihmë prej tyre. Edhe pse e dinin se edhe më parë ai para tyre shprehte urrejtje ndaj pjesëtarëve të kombeve dhe kombësive të tjera nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, pranuan që t’i ndihmojnë në kryerjen e veprës së rëndë. Kur Azizi ka theksuar se nuk ka municion, Afrim Mehmeti i ka treguar se municion ka në dollapin që gjendet në korridorin e pavijonit, ndërsa i akuzuari Rizah Xhakli i ka thënë se lidhur me municionin do të bisedojë me komandantin e rojës Rizo Alibashiq, nga i cili do të sigurojë atë dhe se nuk do të ketë kurrfarë problemi. Kur Azizi ka theksuar se nuk di të përdorë pushkën automatike, Enver Behluli ka shkuar në çadrën e rojës dhe e ka sjellë pushkën automatike, ndërsa i akuzuari Pajazit Aliu i ka treguar Azizit se si përdoret ajo, si vihet e nxirret karikatori dhe si shtihet me të. Azizi edhe ka treguar se atë natë do t’i vijë baba nga Gjermania dhe se pas krimit do të ikë. Me këtë rast i ka pyetur të akuzuarit Abdylxhemil Alimanin dhe Enver Behlulin se në çfarë kohe do të jenë në roje atë natë të shkojnë kur t’i vijë babai dhe ta lajmërojë dhe pastaj ta lëshojnë të ikë. Këta janë pajtuar me këtë dhe me këtë rast janë marrë vesh që atë natë, kur Azizi ishte në detyrën e ndihmësit të kujdestarit të njësisë t’i zgjojë nga gjumi të akuzuarit Rizah Gjakli, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu dhe Shefqet Paçarizi në mënyrë që të mos gjenden në dhomën kur ai të hapë zjarr.

No description available.

Foto: Faksimile nga aktakuza e dytë, 7 dhjetor 1987

Të njëjtën natë, rreth orës 20:30 minuta, Rizah Xhakli shkon në çadrën e komandantit të rojës, Rizo Alibashiqit dhe i tregon se Azizi do të vrasë Dudakoviqin e Vukoviqin dhe nga i njëjti kërkon municion. Alibashiq pajtohet t’u japë municion Azizit, dhe merr vesh që marrja e municionit të inskenohet në atë mënyrë kinse ia ka marrë me dhunë dhe që në atë kohë të mos zgjohet nga gjumi kujdestari në çadrën e rojës, si dhe ndihmësi i komandantit të rojës. Rreth orës 21, në korridorin e pavijonit të njësisë, Rizahu, në praninë e Afrimit, Pajazitit dhe Shefqetit i lajmëron Azizit se ka biseduar me Alibashiqin dhe se ai do t’ia japë municionin, ndërsa pas kësaj një gjysmë ore më vonë, në të njëjtin vend Azizi para të akuzuarve të njëjtë përsëritë atë që tha edhe më parë se do të vrasë ushtarët e postës ushtarake 5313 dhe sipas marrëveshjes, rreth orës 2:30 minuta, Azizi i zgjon nga gjumi Rizahun, Afrimin, Pajazitin dhe Shefqetin.

Pas kësaj Rizahu zgjon të akuzuarin Islam Mahmutin dhe këta pastaj së bashku me Azizin, nga pavijoni shkojnë në vendrojën numër 1 të Abdylxhemil Alimani, të cilin Azizi e pyet se a mos i ka ardhur babai. Pasi i tregon se nuk ka ardhur, me kërkesën e Azizit, Afrimi e Shefqeti dalin nga rrethi i kazermës dhe shkojnë në autostradë për të shikuar kur do të vijë babai i Azizit. Në ndërkohë kthehet Azizi në pavijon ku then dollapin e metaltë dhe merr 10 fishekë të kalibrit 7,62 milimetra dhe në korridor merr pushkën automatike. Sërish shkon në vendin e rojës të Abdylxhemili ku merr një karikator me 30 plumba të kalibrit 7,62 milimetra. Me këtë rast Rizahu e pyet Azizin për se merr fishekë të Abdylxhemili kur ai i ka siguruar te Alibashiqi. Pas kësaj rreth orës 3:00 Azizi shkon me pushkë te Alibashiqi në çadrën e rojës dhe sipas marrëveshjes së mëparshme me Rizahun, Alibashiq i jep atij dy karikatorë me nga 30 fishekë të kalibrit 7,62 milimetra. Pasi që armatoset mirë Azizi shkon në pavijon dhe së pari hap zjarr në dhomën numër 42 ku vret Safet Dudakoviqin, Srgjan Simiqin, Goran Begiqin dhe plagosë Ante Jazhiqin e Nexhip Mehmedoviqin, pastaj shkon në dhomën numër 41 ku vret Hasim Gjananoviqin e plagosë Andrej Presherinin, Petar Gjekiqin e Huso Kovaçoviqin. Nazif Axhoviq për të shpëtuar nga më e keqja kërcen nga dritarja në një lartësi prej 6 metrash me ç’rast merr lëndime të lehta. Pas shkaktimit të krimit të rëndë Azizi shkon në rojën numër 1 dhe Abdylxhemilit ia kthen karikatorin me 30 plumba dhe pyet se mos ka ardhur babai i tij. Aty ishin edhe Rizahu, Afrimi, Pajaziti e Shefqeti, të cilët pastaj kthehen në pavijon dhe përzihen me ushtarë të tjerë. Vrasësi mizor ikën nga rrethi i kazermës, pastaj në malin e afërt bën vetëvrasje”, përfundon aktakuza.

Sipas kësaj aktakuze, të lartpërmendurit kanë bërë vepër penale të vrasjes nga nxitjet armiqësore ndaj RSFJ-së – në ndihmë, nga neni 122, lidhur me nenin 24 të Ligjit Penal të RSFJ-së, ndërsa Avdylxhemil Alimani edhe për vepër penale të cenimit të detyrës së rojës nga neni 209, paragrafi 1 i Ligjit Penal të RSFJ-së. Ndërkaq, Rizo Alibashiq akuzohet edhe për vepër penale të vrasjes në ndihmë nga neni 47, paragrafi 2, pika 1 dhe 3 i Ligjit Penal të Serbisë, lidhur me nenin 24 të Ligjit Penal të RSFJ-së për vepër penale të cenimit të rojës, ndërsa i akuzuari i fundit Islam Mahmuti, për vepër penale të moslajmërimit të përgatitjes së veprës penale nga neni 202, paragrafi 2 i Ligjit Penal të Serbisë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shija më e re në treg Rc Refresher Tropic, përmban…