Dabiqaj: Feronikeli shpejt do të jetë aty ku e ka vendin

22 shtator 2019 | 11:13

Futbollisti i Feronikelit, Albert Dabiqaj, është optimist se skuadra e tij do të jetë shumë shpejt aty ku e ka vendin, pra në pozitën e parë të Superligës.

Kampioni i Kosovës në futboll dhe fituesi i Kupës, Feronikeli, nuk e nisi mirë edicionin 2019/2020 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pasi nga pesë ndeshje të zhvilluara ka arritur tri fitore dhe dy humbje.

I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, mesfushori Albert Dabiqaj ka treguar arsyet e fillimit jo të mirë të skuadrës nga Drenasi, por për të rëndësi të madhe ka fakti se dallimi mes skuadrave të para është i vogël. “Është e vërtetë se kemi bërë disa lëshime të vogla në dy ndeshje të këtij edicioni. Fillimi ishte pak i lodhur nga ne si pasojë e pjesëmarrjes në ndeshjet e Evropës, por kjo nuk është për t’u shqetësuar, sepse skuadra është rikthyer në formë dhe dallimi mes skuadrave kryesuese është i vogël. Shpejt do të jemi aty ku e kemi vendin”, ka thënë Dabiqaj.

Ndeshjen e radhës ndaj Dukagjinit, Feronikeli e zhvillon të dielën në Klinë. Mesfushori Dabiqaj ka thënë se, pavarësisht prej rezultateve jo të mira, skuadra kundërshtare e “Niklit” ka potencial të mjaftueshëm që t’u nxjerrë telashe të gjitha skuadrave të tjera në elitën e futbollit të Kosovës. “Dukagjini ka pasur ngecje në këtë fillim të kampionatit, por kjo nuk do të thotë se ne e kemi të garantuar fitoren përballë tyre. Ata kanë një skuadër me të vërtetë shumë cilësore dhe që mund t’i shkaktojë probleme secilit ekipit në Superligë”, ka shtuar ai.

Ky kampionat në pesë xhirot e para ka qenë mjaft interesant dhe befasitë nuk kanë munguar, derisa për ish-mesfushorin e Besës së Pejës lëvdatat më të mëdha i meriton skuadra e Ballkanit nga Suhareka. “Ajo që mund të them është se në xhirot e zhvilluara për të mirë më ka befasuar Ballkani. Ky klub ka dëshmuar se ka një ekip cilësor dhe mund të arrijë rezultate të mira në këtë kampionat, kurse skuadrat e tjera renditen aty ku edhe e meritojnë në bazë të asaj çka kanë paraqitur në fushë”, ka shtuar Dabiqaj.

IPKO Superliga

Të dielën takohen:

15:00 Drita – Trepça ’89
15:00 Dukagjini – Feronikeli
20:00 Prishtina – Gjilani

Të hënën takohen:

15:00 Ferizaj – Drenica
15:00 Ballkani – Vushtrria
15:00 Flamurtari – Llapi

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Shqipërisë është mbledhur në Ministrinë e Mbrojtjes pas…