Delegacioni i kongresistëve amerikanë mbërrin në Kosovë
Delegacioni i kongresistëve amerikanë ka mbërritur të martën në Prishtinë, si pjesë e turit të tyre në Ballkanin Perëndimor, ku të nesërmen pritet të ketë takime edhe me udhëheqësit e Kosovës.
Delegacioni, i përbërë nga Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve, e vizituan të martën pasdite kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Delegacioni kaloi pasditen në kampin Bondsteel duke u takuar me anëtarët e shërbimit të përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it-Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan”, ka shkruar Ambasada në X.
Më vonë në mbrëmje, Self u takuan me ish-presidenten Vjosa Osmani, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të cilët do të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Në takimin tonë të përbashkët e falënderuam për qëndrimin e tij të qartë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, anëtarësimit tonë në NATO dhe fuqizimit të paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Diskutuam për bashkëpunimin tonë të ngushtë me administratën Trump dhe mundësitë e jashtëzakonshme për thellimin e këtij partneriteti”, shkroi Osmani në Facebook.
Vizita e tyre në Kosovë zhvillohet pas atyre në Sarajevë dhe Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës, ku Self dhe Subramanyam theksuan se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë.



