Deputetët kërkojnë nga Qeveria Kurti që ta ketë prioritet sigurimin e vaksinave

13 prill 2021 | 12:13

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që ta ketë prioritet sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.

Kryetarja e re e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, në mbledhjen e parë të këtij komisioni është zotuar për bashkëpunim me të gjithë deputetët dhe institucionet përkatëse.

Ajo është zotuar se edhe planin e punës së këtij komisioni do ta hartojnë të gjithë bashkë.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se prioritet numër një duhet të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid.

“Kërkoj angazhimin e komisionit që të bëhemi bashkë në sigurimin e vaksinës. Qytetarët presin sigurimin e vaksinës duke pasur sytë nga qeveria”, ka thënë ai.

Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka folur për masat anti-Covid të marra nga qeveria, derisa ka thënë se institucionet duhet dhënë llogari për efektin ekonomik që shkaktojnë masat.

“Çështja e vaksinave është një brengë që kanë qytetarët dhe profesionistët shëndetësor. Por njerëzit janë të mbyllur edhe bizneset gjithashtu, duhet dhënë llogari. Pra të gjitha këto është dashtë me qenë diskutimi i yni dhe të kemi mbledhje edhe më të shpeshta. Ish dashtë me qenë një transparencë më e madhe sa i përket vaksinave. Nëse nuk vaksinohen 70 për qind e popullatës nuk arrihet efekti”, ka deklaruar ai.

Deputeti i AAK-së dhe infektologu Shemsedin Dreshaj në adresimin e tij në këtë komision ka kërkuar që  shëndetësia të jetë prioritet i qeverisë, duke shtuar se 20 mijë vaksina kundër Covidit janë sa një pikë uji në det.

“Uroj të dalim faqebardhë në menaxhimin e pandemisë. Secili prej nesh brengën kryesore e ka vaksinimin në masë. 20 mijë vaksina janë një pikë ujë në det. Të mos shkojmë më ritëm të ngadalshëm të vaksinimit. Shqipëria vaksinon 20 mijë raste në ditë”, ka thënë ai.

Më tutje, ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar bashkëpunim, duke shtuar se në këtë periudhë kanë parë vetëm heshtjen e qeverisë karshi menaxhimit të pandemisë.

“Nga pozita e ish-ministrit ju kam lutur me dyer të mbyllura të ua shpjegojë çështjen e vaksinimit. Ne mund të bëjmë thirrje të përbashkët, ndryshe presim nga ministria të bëjë diçka lidhur me procesin. Ajo çka kemi parë është heshtje e qeverisë ndaj situatës me Covid-19”, ka thënë Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
HSC Kreuzlingen ka befasuar me rezultate të mira në edicionin…