Fjalë e mbajtur nga Bajrush Xhemaili me rastin e zbulimit të pllakës në shtëpinë bazë të LPK-së e familjes Avdiu

03 dhjetor 2022 | 22:19

Bajrush Xhemaili, veprimtar i hershëm i LPK-së, në fjalën e tij deklaroi se familja Avdiu është pjesë e historisë së Kosovës për shkak të angazhimit të pjesëtarëve të familjes në Levizjen Popullore.

Xhemajli tha se pjesëtarët e kësaj familje u burgosen e u maltretuan për shkak të veprimtarisë së tyre por asnjëherë nuk e ndalen aktivitetin e tyre në sherbim të vendit.

Fjalimi i plotë pa ndërhyrje i Xhemailit:

Të nderuar, anëtarë të familjes Avdiu

Të nderuar bashkëveprimtarë, e bashkëluftëtarë

Të nderuar, të pranishëm

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta, me rastin e 40 vjetorit të bashkimit të organizatave patriotike dhe themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, sot jemi tubuar këtu, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen tonë për familjen Avdiu dhe për të zbuluar pllakën, përmes së cilës e shënojmë këtë shtëpi dhe këtë familje, si një vend që ishte bazë e rëndësishme e Lëvizjes kundër pushtuesit, ku veprimtarë e drejtues të Lëvizjes, kanë qëndruar e mbajtur takime të shumta dhe kanë koordinuar veprimtarinë çlirimtare për të gjithë Kosovën dhe viseve të tjera të okupuara shqiptare.

Kryefamiljari Hamit Avdiu, shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në Prishtinë. Pasi punësohet  dhe pasi që familja fillon të zgjërohet, në këtë truall ku jemi këtu, do të zhvendosej, nga rruga Jastrebcit, në vitin 1968. Vit ky, i demonstratave të para antipushtuese të cilat, padyshim, përshpejtuan zgjimin tonë kombëtar dhe patën ndikim të madh në vetëdijësimin e popullit shqiptar, se duhet rezistuar dhe duhet gjakuar të drejtat tona politike e kombëtare.

Këto demonstrata patën ndikim të fuqishëm edhe tek patrioti Hamit Avdiu, i cili familjen dhe rrethin e tij, u përpoq në maksimum, t’i edukojë dhe t’i mishërojë me idetë e lirisë dhe të bashkimit kombëtar. I martuar me Hateme Xhemajli- Avdiu, rritën dhe edukuan nëntë fëmijë.Pas demonstratave të vitit ’81, nga policia pushtuese, kërkohej për tu arrestuar fqinji i kësaj familje, Bajram Bahtiri (tani më, hero i Kosovës), ngase, kishte rënë në sy të policisë, si njëri prej organizatorëve kryesor, të barrikadës së njohur në Kodrën e Trimave, më 1 Prill 1981.

Baci Hamit, pasi mori vesh se Bajrami, një natë kishte fjetur në mal dhe nuk donte të dorëzohej, iu thotë djemve të tij Ismetit dhe Danit: dilni dhe gjejeni Bajramin, ku është e ku s’është e, i thoni, se shtëpia jonë është shtëpia tij dhe mund të vij për të qëndruar në shtëpinë tonë, kur të dojë e në çdo kohë.

Të gjithë anëtarët e e familjes Avdiu, ishin të lidhur me Lëvizjen. Ramadani, në vitin 1984, në moshën e tij të re, si 20 vjeçar, për shkak të aktiviteteve antipushtuese, u arrestua dhe u dënua me 5 vite burg, si anëtar i Organizatës Fronti Nacionalçlirimatr i Kosovës.

Gjatë kohës sa Dani ishte në burg, kryefamiljari i familjes Avdiu, Baca Hamit, asnjëherë nuk u ndal dhe krijoj kontakte me shumë patriotë, me familje të të burgosurve dhe me veprimtarë, duke iu thënë se, shtëpinë dhe anëtarët e tjerë të familjes i ka në dispozicion të Lëvizjes.

Në këtë shtëpi dhe në këtë familje, në kohën kur ishin të rrezikuar, kanë gjetur strehë dhjetra veprimtarë të njohur të rezistencës sonë kombëtare.

Pas lirimit të Danit nga burgu, menjëherë, në shkurt të vitit 1989, përfshihet në radhët e Lëvizjes. Fillimisht, në një celulë me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë, e pastaj nga shtatori i vitit 1989, pas largimit nga vendi i Fadil Vatës, do të kooptohet në udhëheqjen më të ngushtë të organizatës. Nga kjo kohë, shtëpia e Familjes Avdiu, do të jetë një vend i rëndësishëm, ku zhvilloheshin takime të shpeshta dhe koordinoheshin aktivitetet çlirimtare në Kosovë, në përgjithësi dhe në Prishtinë, në veçnati.

Në funksion të Lëvizjes, ishin vënë të gjithë pjestarët e familjes Avdiu, si gjashtë djemtë: Ismeti, Dani, Rexhepi, Skenderi, Enveri, Adnani, ashtu edhe tri vjazat: Bahrija, Shehrija dhe Selvetja, ku, që të gjithë, kishin nga një rol: dikush kishte rol korieri, dikush bënte roje gjatë takimve, e dikush bartjen dhe shpërndarjen e materialeve, kurse Rexhepi, ishte një prej pjestarëve më të rëndësishëm të logjistikës së organizatës. Duhet falënderuar edhe Shqipen, bashkëshorten e vëllait të madh Ismetit, sikurse edhe Buqen, bashkëshorten e Danit,  të cilat, të gjithë veprimtarët e lirisë. i kanë pritur e përcjellur, sikurse vëllezërit e tyre.

Do të ishte listë e gjatë për të përmenduar emrat e veprimtarëve që kaluan nepër derën e familjes Avdiu që ishte konaku dhe sofra e veprimtarëve anë e kënd trojeve shqiptare.

Fillimisht po përmendë emrat e heronjëve të Kosovës që  frekuentuan, qëndruan, u konsultuan dhe kordinuan veprimtarinë antipushtuese si: Adem Demaçi, Ahmet Haxhiu, Afrim Zhitija, Fadil Vata, Fahri Fazliu, Xhevat Qerimi, Bahri Fazliu, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ukshin Hoti, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi,  Behajdin Hallaçi, Xhavit Haziri,  Xhemajl Fetahu, Bajram e Rrahman Bahtiri, Isa Kastrati, Xheladin Gashi, Shaban Shala, Jashar Salihu, Sabit Veseli, Shasivar Makolli, Nazmi Hoxha, Xheladin Rakaliu, Rrahmon Dini, Hysen Gega e të tjerë.

Pastaj po përmend edhe disa veprimtarë të njohur të Lëvizjes sonë kombëtare si; Rexhep Balidemaj, Ali Aliu, Zeqir Gërvalla, Selman Berisha, Idriz Gërvalla, Beqir Berisha, Hyrije Hana, Azem Beqri, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Bardhyl Mahmuti, Azem Syla, Halil Selimi, Bajrush Xhemaili, Shaban Muja, Sejdi Veseli, Shemsi Veseli, Fatmir Sopi, Bilall Sherifi, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Beqir Beqa, Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Guximtar Labënishti, Hydajete Krasniqi, Ibish Neziri, Sali Lajçi, Binak Berisha, Ilaz Kadolli, Halit Krasniqi, Ismet Sylejmani, Mehmet Bislimi, Ramiz Lladrovci, Hajredin Hyseni, Ekrem Jashari, Nazmi Llapashtica, Abdyl Mustafa, Fatmir Brajshori, Fadil Fazliu, Avni Klinaku, Salih Mustafa, Raif Qela, Izmi Zeka, Taip Zeka, Mustafë Krasniqi, Arben Krasniqi, Ejup Thaçi, Xhemajl Kelmendi, Fisnik Cukaj Nait Hasani, dhe shumë e shumë veprimtarë të tjerë nga të gjitha viset e okupuara shqiptare, të cilëve u kërkojmë ndjesë, që për shkak të kohës nuk po mund të ua përmendim emrat.

E gjithë kjo plejadë heronjësh e veprimtarësh, kanë lënë gjurmë në historinë tonë më të re. Padyshim që, në këtë histori, ka lënë gjurmë edhe familja Avdiu, e posaqërisht Dani, i cili nga viti 1989, deri në korrik të vitit 1993, ishte ndër veprimtarët dhe udhëheqësit kryesor të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së, Dani zgjidhet Anëtarë i Kryesisë dhe merret, kryesisht, me çështje organizative.

Në Prill të vitit 1993, në Mbledhjen Konsultative të mbajtur në Kollare afër Kërçovës, Dani zgjidhet Kryetar i Grupit të Organzimit dhe Riorganzimit, që kishte për detyrë, në bashkëpunim me Kryesinë e LPK-së, të përgatitë Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK-së,  ku u morën vendime të rëndësishme historike, për kalimin në fazë të re të rezistencës dhe përgatitjes për kryengritje të armatosur, që ishte, prologu i themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fushatën e arrestimeve, më 2 Gusht 1993, shtëpia e familjes Avdiu, do të rrethohet nga qindra forca policore pushtuese. Të gjithë anëtarët e familjes, u maltretuan brutalisht. Arrestuan kryefamiljarin, Bacën Hamit, vëllain  Sabit Avdiun dhe bijtë e tij Ismetin dhe Rexhepin.

Danin, nuk kishin arritur ta arrestonin. Pas disa ditësh Bacën Hamit, Sabitin dhe Ismetin i lirojnë të maltretuar mizorisht, kurse Rexhepi, mbahet në burg për dhjetë muaj.

Pushtuesit, arritën të arrestojnë dhjetra veprimtarë të Lëvizjes por, kurrë, nuk arritën ta këpusnin vazhdimësinë e veprimtarisë atdhetare. Anëtarë të tjerë, vazhduan angazhimet për zbatimin e vendimeve dhe fuqizimin e luftës çlirimtare. Dani u largua në Zvicër, ku i vazhdoj angazhimet në kuadërt të LPK-së e, më vonë, edhe si pjesë përbërëse e grupit politik e diplomatik të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës për marrëdhënie me jashtë, që ishte pjesë e drejtorisë poltike të UÇK-së. Gjatë periudhës ‘94-’98, kjo shtëpi dhe kjo familje, ishte nën llupën e vazhdueshme të pushtuesve dhe, aktivitetet brenda saj, kanë qenë të reduktuara por, anëtarët e saj, nuk u kursyen asnjëherë dhe ishin aktiv në luftë deri në çlirimin e vendit.

Kjo shtëpi, e mbruajtur me taban të fortë atdhedashurie, edhe pse e bastisur, e survejuar, e terrorizuar, e burgosur, e ekziluar në Zvicër, e çka jo tjetër, gjeti gjithmonë forcë për t`u ringritur dhe për të qenë në detyrën e kohës.

Shoqëria Lëvizja dhe, ne të gjithë, e falënderojmë për kontributin dhe mbështetjen e pakursyer, në të gjitha mënyrat e saja, në rezistencë dhe luftë çlirimtare.

Prishtinë, 3 Dhjetor 2022.                                      Bajrush Xhemaili

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Argjentina është skuadra e dytë pas Hollandës që siguron çerekfinalen…