GOLI OTOKU, KRIMI QË S’HARROHET KURRË

01 shkurt 18:30

Intervistë me veprimtarin e çështjes kombëtare, autorin e librit monografik “Goli Otoku, histori e trishtë e një krimi shtetëror jugosllav”, Meriman Braha

Unë nuk kam qenë në burgun e Goli Otokut dhe angazhimi im për të shkruar për këtë burg e llogore nuk ka të bëjë asgjë me kujtimet e përjetimet e mia, por ka të bëjë me një përpjekje për të ndriçuar anët e errëta të shtetit jugosllav dhe të sistemit të tij tipik totalitar dhe diktatorial për një periudhë shumë të gjatë kohore. Gjatë kësaj periudhe të diktaturës jugosllave shteti ka bërë një sërë krimesh shtetërore ndaj qytetarëve të vet, një sërë krimesh mbi bazën ideologjike dhe një sërë krimesh mbi bazën etnike, krime këto që kanë mbetur të heshtura, mjeshtërisht të kamufluara para syve të botës, duke u shitur si shtet socialist me fytyrë humane

Intervistoi: Sadik Zeqiri

“EPOKA E RE”: Në vitin e kaluar botuat librin “Goli Otoku, histori e trishtë e një krimi shtetëror jugosllav”, i cili i ka munguar shumë historisë shqiptare dhe të gjitha atyre në Ballkan. Çfarë dokumentesh keni publikuar në këtë libër?

BRAHA: Libri “Goli Otoku, histori e trishtë e një krimi shtetëror jugosllav” është një përpjekje për t’i dokumentuar krimet e një shteti, në këtë rast të Jugosllavisë, mbi qytetarët e vet. Goli Otoku është, në fakt, dëshmi e dokumentueshme e një prej krimeve më monstruoze të shtetit jugosllav, të ideuar, të planifikuar dhe të realizuar me të gjithë aparaturën e dhunshme të shtetit, duke u lëshuar nga kupola më e lartë shtetërore jugosllave, nga Byroja Politike, qeveria jugosllave, veçanërisht Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes e deri te poret më të imta shoqërore. Në libër janë sjellë dokumente autentike të UDB-së federative dhe të asaj kroate, dëshmi të shumta rrëqethëse të personave që kanë përjetuar golgotën e Goli Otokut, dëshmi të ubashëve që kanë ushtruar dhunë të organizuar brenda llogorit, dëshmi të udhëheqësve të llogorit dhe të tërë sistemit represiv të llogoreve e burgjeve të Jugosllavisë. Veçanërisht i rëndësishëm është dokumenti i UDB-së federative me listën e shifruar të të burgosurve në Goli Otok me rreth 17 000 emra. Ky dokument ka rëndësi të veçantë sepse në listën e madhe përfshihen të dhënat për personat e dënuar, datëlindja, vendlindja, kombësia, organi që e ka burgosur, data e burgosjes, lloji i dënimit, lartësia e dënimit, data e lirimit dhe lloji i vendimit për lirim. Dokumenti është autentik dhe dërgohet nga UDB-a federative UDB-së së Kroacisë për ta saktësuar, plotësuar apo korrigjuar. Në këtë dokument të rëndësisë së dorës së parë për herë të parë jepet një shifër e të burgosurve politikë në Goli Otok, sepse aty të gjithë ishin të burgosur politikë, përmbledhur në harkun kohor prej 1949 deri në vitin 1961, pra për dymbëdhjetë vjet. Në libër merret në trajtim pikërisht ky hark kohor, 1949-1961 që është, në fakt, koha e veprimeve më të egra shtetërore mbi ata që u quajtën armiq të popullit e të shtetit, që nga themelimi i llogorit e hapja e tij në korrik të vitit 1949. Janë shfrytëzuar dokumente nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë edhe për njerëzit që kanë vdekur ose që janë vrarë në llogor, gjithnjë të këtij harku kohor. Në veçanti kam hulumtuar për shqiptarët që janë vrarë në torturë, për disa prej tyre dihet edhe vendi i varrimit dhe numri i varrit, disa janë pa varr, por edhe pa dosje, domethënë u është zhdukur dosja, siç është rasti me Omer Çerkezin, një figurë e shkëlqyer atdhetare, që vdes në mënyrën më barbare, trupin e dërrmuar të të cilit e hedhin natën në det, duke i lidhur një gur të rëndë për trupi.

“EPOKA E RE”: Keni vepruar shumë për çështjen kombëtare shqiptare në vitet ’68, ’80 e më vonë. Po për këto aktivitete keni mbajtur disa vjet burgim dhe jeni burgosur disa herë. E keni kaluar ndonjë ditë të burgut në Goli Otok dhe çfarë ju kanë thënë dëshmitarët për këtë burg që kanë ndenjur më gjatë?

BRAHA: Jo, nuk kam vuajtur dënime në Goli Otok, ndërsa kam dëgjuar shumë për vuajtjet e të burgosurve në atë ishull. Kam pasur në rrethin shoqëror dhe miqësor shumë persona që kanë qenë atje. Bisedat e tyre për ato që i kanë përjetuar atje kanë qenë mjaft të kufizuara deri në vitin 1966, pas rënies së Rankoviqit, që ishte sinonim i politikës së ashpër e represive. Pas kësaj kohe, sidomos pas vitit 1968, ata kanë filluar të flasin më hapur dhe bisedat kanë qenë më të thelluara. Me vëmendje të veçantë, si të rinj që ishim, i dëgjonim rrëfimet, ose copëza rrëfimesh nga Ali Aliu, Kadri Halimi, Ukë Ukimeraj, Nezir Gashi, Masar Shporta, Enver Dukagjini, Sami Peja etj. Secili rrëfente kujtimet e veta të asaj katrahure njerëzore dhe ne trishtoheshim dhe mbusheshim plot mllef për ato ngjarje e ditë të rënda e të këqija që kishin përjetuar. Ishte karakteristike se ata flisnin me admirim për qëndresat e shokëve dhe kurrë nuk dëgjonim prej tyre mburrje dhe aq më pak vetëmburrje.

Dënoheshin për këto dy lloje të veprave…

“EPOKA E RE”: Për çfarë dënoheshin dhe burgoseshin njerëzit në Goli Otok?

BRAHA: Të gjithë të burgosurit e Goli Otokut kanë qenë të burgosur politikë deri në kohën e rënies prej pushteti të Rankoviqit. Pas kësaj kohe janë përmirësuar kushtet e jetesës dhe burgu është përshtatur për të mitur, të veprave të ndryshme penale, ndërsa në vitet  ’80 atje kanë vuajtur dënimet edhe shumë të burgosur politikë shqiptarë që ishin pjesë e lëvizjes së përgjithshme kombëtare në Kosovë.

Në fund të viteve ’40 e deri në fund të viteve ’50 të burgosurit politikë ishin dy llojesh kryesore: të dënuar për vepra penale politike kundër popullit dhe shtetit nga gjykatat e rregullta; dhe të dënuar me masa administrative, që nuk dënoheshin nga gjykatat e rregullta, por nga disa lloj këshillash të vendit, të qytetit, të lagjes e nga sektorë të veçantë të UDB-së etj. që të gjithë në koordinim të plotë me organet e brendshme shtetërore, por asnjeri i kualifikuar dhe i autorizuar për gjykimin e njerëzve.

Nëse për kategorinë e parë zhvilloheshin hetimet, organizohej gjykimi dhe shpallej publikisht një Aktgjykim me kohëzgjatjen e dënimit, që zakonisht ishin dënime të rënda; për kategorinë e dënuarve me masën administrative nuk kishte aktgjykime, as aktvendime, as vendime, përveç në raste të rralla. Burgosjet dhe dënimet me masën administrative kishin të njëjtat procedura si ato të hetimeve të rregullta, me përdorimin e dhunës e të torturës në formë të pakontrolluar, por që të dënuarve u shqiptohej dënimi gojarisht, që sillej nga 12 deri në 60 muaj, ndërsa për të drejtën e ankesës as që bëhej fjalë. Në Goli Otok, të gjithë të burgosurit, si ata që ishin dënuar për vepra penale politike, ashtu edhe ata që ishin dënuar me masën administrative, pa ndonjë veprim konkret, por që supozoheshin si armiq të mundshëm, kishin të njëjtin trajtim bestial, qoftë në hetimet e vazhdueshme me tortura individuale apo kolektive, mungesë ushqimi, me punën tepër të rëndë, si formë speciale e torturës, me gjumë totalisht të çrregulluar dhe me mungesë të plotë të kontaktit me familjet, pa letra, pa pako dhe pa vizita. Për të burgosurit politikë të Goli Otokut familjet mund të merrnin informata vetëm në zyrat e UDB-së në qendrat prej nga ishin, që zakonisht përmblidheshin në formën: “është mirë, në duart tona është, s’ka nevojë për asgjë, sepse ne i japim të gjitha”. Familjet as që kanë qenë të njoftuara se në cilin burg janë, sepse opinioni i gjerë nuk ka pasur dijeni për hapjen e një llogoreje të veçantë për të burgosurit politikë të asaj kohe.

“EPOKA E RE”: Pse duhej të dërgoheshin në atë ishull, përplot me gurë, mijëra veta për ta vuajtur një dënim të shkurtër kohor?

BRAHA: Llogorja e Goli Otokut është ngritur me qëllim të grumbullimit të armiqve politikë të Jugosllavisë, në veçanti për ata që kishin rënë ndesh me politikën e Jugosllavisë përballë kampit socialist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, të kohës së Informbyrosë. Por, siç thashë dhe më parë, ata që kishin rënë ndesh me politikën e Jugosllavisë dhe kishin vepruar, ishin dënuar nga gjykatat, qofshin ato civile, qofshin ushtarake, ndërsa armiqtë e supozuar, ata për të cilët mungonte dëshmia e veprimit, por supozohej se mund të ishin mbështetës të fshehtë të Bashkimit Sovjetik, ose të ndonjë shteti satelit të tij, ndëshkoheshin me burg me masën administrative, pa procedurë gjyqësore dhe pa një aktgjykim dhe pa të drejtë ankese. Kjo formë e dënimit është veçanërisht e kundërligjshme, sepse shtrirja e zbatimit të kësaj mase ndëshkuese është tepër e gjerë dhe pa bazën e duhur juridike. Fakti se në llogoren e Goli Otokut, në bazë të listës së madhe zyrtare të UDB-së federative, nga 17 000 persona të burgosur, 12 000 janë pa vendime gjyqësore, që kanë vuajtur dënime nga 12 muaj deri në 60 muaj. Secilit të dënuar me këtë masë ka mundur t’i zgjatet dënimi gojarisht deri në 60 muaj, pa ndonjë vendim dhe pa ndonjë arsyetim. Jeta e të burgosurve politikë në Goli Otok është ndërtuar mbi frikën, dhunën dhe pasigurinë totale gjatë tërë kohës së qëndrimit të tyre atje. Nëse dikujt i është kumtuar me gojë se dënohet me masën administrative, që shpjegohej me sintagmën “punë e dobishme shoqërore”, me 12 ose 24 muaj, kjo s’kishte asnjë siguri se ai do të dilte ditën a datën e caktuar, sepse lirimi i tij varej kryekëput nga udbashët që zhvillonin hetimet shtesë në vetë llogoren famëkeqe. Gjatë kësaj kohe, nga grupi prej rreth 50 udbashësh, nga të gjitha republikat dhe federata, që ishin me detyrë zyrtare në ishullin e Goli Otokut, varej se çfarë kishin nxjerrë nga armiqtë e supozuar nën tortura për shokët ose anëtarët e tjerë të familjes, që zhvilloheshin në ambientet e hetuesisë, por akoma më shumë në ambientet e barakave, ku hetime shtesë bënin të burgosurit mbi të burgosurit. Hetuesit kishin duar plotësisht të lira dhe dispononin tërësisht me jetën e të burgosurit. Ata ishin atje me detyrë shtetërore për t’ia nxirë sa më shumë jetën secilit dhe këtë e kanë bërë me shumë sukses, duke ushtruar mbi ta 65 lloje torturash nga më monstruozet, që janë të listuara në libër.

Në Goli Otok u vranë edhe shqiptarë

“EPOKA E RE”: Goli Otoku, sa ishte burg për shqiptarë, po aq ishte edhe për serbë, kroatë, sllovenë, malazezë, maqedonas, hungarezë, bullgarë, italianë etj. Na intereson të dimë nëse është pushkatuar ndonjë shqiptar në Goli Otok dhe me çfarë akuze?

BRAHA: Sipas hulumtimeve të bëra, në bazë të dokumenteve që kam pasur në dorë, në Goli Otok janë katër shqiptarë të vrarë në torturë dhe një i vrarë në tentim për ikje. Vetëm për Fetah Bajram Klunën, nga Drenasi, jepet shpjegimi se është vrarë në tentim ikjeje, ndërsa për të tjerët nuk jepen shënime se cila ka qenë arsyeja e vdekjes, prandaj mund të supozojmë se ata janë vrarë në torturë, veçanërisht duke pasur parasysh seancat e torturave publike në baraka, ku ishin në veprim personat e UDB-së të infiltruar si të burgosur politikë dhe që ushtronin dhunë fizike në mënyrë sistematike mbi të tjerët. Shqiptarë të evidentuar në listën e të vdekurve, që ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë, janë këta: Martin Vaso Gjoka nga Tuzi, 18 vjeç, nuk dihet vendvarrimi; Nikolla Luc Perkaj, 28 vjeç, nga Tuzi, i varrosur në Miroshevac/Zagreb; Qemal Hysen Hoxha, 30 vjeç, nga Gjakova, i varrosur në Mirogoj/Zagreb; Fetah Bajram Kluna, 36 vjeç, nga Drenasi, i varrosur në Bileqe dhe Omer Ibrahim Çerkezi, 35 vjeç, nga Mitrovica, nuk ka shënime për arsyen e vdekjes e as për vendin e varrimit.

“EPOKA E RE”: Kush tjetër prej familjes suaj ka qenë i burgosur në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe në Goli Otok?

BRAHA: Në këtë kohë kur ishte hapur dhe vepronte llogorja për të burgosurit politikë antijugosllavë, familja ime, baba, nëna dhe pesë fëmijë të mitur, si dhe disa familje të tjera shqiptare, është internuar në një kamp të punës së detyrueshme në Vojvodinë. Në këtë lloj kampi internimesh ne kemi hasur në një numër tepër të madh gjermanësh që, gjithashtu, ishin të internuar, më vonë u deportuan dhunshëm për në Austri dhe Gjermani. Në kushte dhe rrethana tepër të vështira, të vendosur edhe në stallë lopësh, familja ime ka kaluar katër vjet në internim. Gjatë internimit babën e kanë burgosur dhe e kanë mbajtur rreth gjashtë muaj në burgjet e Beogradit. Pas internimit babai ka qenë prapë i burgosur dhe ka qëndruar mbi një vit e ca, pastaj Qemali, vëllai im, më vonë vëllai tjetër, Salajdini, i cili nën tortura ka pësuar infarkt, nipi Arsimi, mbesa Fatmirja, mbesa Valbona. Kështu që kemi përvojë të madhe me veprimet e armiqve të popullit tonë.

Unë nuk kam qenë në burgun e Goli Otokut dhe angazhimi im për të shkruar për këtë burg e llogore nuk ka të bëjë asgjë me kujtimet e përjetimet e mia, por ka të bëjë me një përpjekje për të ndriçuar anët e errëta të shtetit jugosllav dhe të sistemit të tij tipik totalitar dhe diktatorial për një periudhë shumë të gjatë kohore. Gjatë kësaj periudhe të diktaturës jugosllave shteti ka bërë një sërë krimesh shtetërore ndaj qytetarëve të vet, një sërë krimesh mbi bazën ideologjike dhe një sërë krimesh mbi bazën etnike, krime këto që kanë mbetur të heshtura, mjeshtërisht të kamufluara para syve të botës, duke u shitur si shtet socialist me fytyrë humane.

“EPOKA E RE”: Ç’dënime u jepeshin atyre që dërgoheshin për vuajtje të dënimit në Goli Otok?

BRAHA: Dënimet për të burgosurit politikë të Goli Otokut kanë qenë tepër të rënda, që me formën, mjetet dhe metodat e përdorura shkojnë paralel, ndërsa në disa segmente edhe ua kalojnë, dënimeve në kampet e përqendrimit të nazistëve, apo në ato të gullagëve sovjetikë. Është e qartë se kampet e këtyre vendeve u kanë shërbyer si modele jugosllavëve. Përveç dënimeve të gjata kohore, atyre gjatë vuajtjes së dënimit u mohohej çdo lloj e drejte. S’kishin të drejtë të ankoheshin për burgosjen pa gjyq e pa gjykim, as për punën e rëndë, as për torturat që ushtroheshin çdo ditë, as për mangësi ushqimi, as për etjen e vazhdueshme, kur uji kufizohej me dy-tri gota në ditë. Të burgosurit shpesh ndëshkoheshin edhe me ndëshkime të tjera, me punë të rëndë shtesë, me shkurtim të gjumit, me shkurtim të sasisë së bukës, që edhe ashtu ishte vetëm 150-200 gramë në ditë, me dënim me qëndrim mbi kibëll, që është një nevojtore portative në barakë për përdorim natën nga të burgosurit, me qëndrim në diell tërë ditën etj. Dënime të shpeshta bëheshin kur të burgosurin, ose disa prej tyre, i detyronin të kalonin nëpër “shpalir”, ndërsa të burgosurit e tjerë, që e përbënin “shpalirin” me dy rreshta, e kishin për detyrë që t’i godisnin sa më shumë dhe pa mëshirë shokun e tyre që kalonte në mesin e dy rreshtave, që mund të ishte i gjatë disa qindra metra. Ata që nuk e godisnin shokun i futnin në “shpalir” për t’u goditur nga të tjerët. Secili nga të burgosurit duhej të kalonte nëpër hetimin special që bëhej nga të burgosurit në dhomë, që dirigjoheshin nga udbashët aktivë. Këtë lloj të dënimit nga shokët, që ata të të rrahin deri në alivanosje, dhe hetim prej tyre deri në çmenduri, nuk e kishin në praktikën e vet as nazistët e as sovjetikët. Dhe të gjitha këto mynxyra, kini parasysh, nuk ishin për një ditë, por ishin të përditshme, aq sa edhe ushqimin detyroheshin ta hanin në këmbë dhe dy-tre veta me një lugë.

Të burgosurit thyenin gurë me gurë

“EPOKA E RE”: Ç’punë bënin të burgosurit dhe, sa kishin të drejta?

BRAHA: Puna e parë dhe kryesore, që shërbeu edhe si torturë, ishte thyerja dhe bartja e gurëve. Fare në fillim të hapjes së llogores ka qenë thyerja e gurëve me gurë, ashtu gjithë ditën, në pikë të diellit. Pastaj janë sjellë kazma, qyskia, çekanë të rëndë dhe bartja e gurëve është bërë nga një vend në tjetrin. Gurët janë bartur në dy mënyra: në krahë dhe në lese prej dërrase. Leset mbusheshin me gurë prej rreth 100 kilogramësh dhe i bartnin dy të burgosur, ndërsa kujdestari i shtynte të shpejtonin, thuaja në vrap. Nga puna e tillë e rëndë e tërëditshme, të burgosurit rraskapiteshin, sa shpesh binin e plandoheshin për toke. Shumë prej tyre kanë përfunduar jetën nën peshën e gurëve, gjë të cilën e dëshmojnë edhe raportet e dorëzuara nga personat e autorizuar zyrtarë në instancat më të larta. Më vonë, nga puna e kotë, u organizuan punëtori për përpunimin e mermerit, prerjen e blloqeve, thyerjen e gurëve me makineri të mëdha dhe të gjitha me përfitime të mëdha sepse prodhimet bëheshin për eksport. Më vonë kanë sjellë makineri për përpunimin e drurit dhe pastaj u ngre një repart i përpunimit të metaleve dhe të riparimit të anijeve të vogla etj. Kështu u krijua një bazë industriale që fuqinë punëtore e paguante me ushqimin e ditës, ndërsa fitimet kolosale i shkonin në arkë UDB-së qendrore, pa u derdhur në buxhetin e shtetit, që këto mjete i shfrytëzonte për projektet e veta të errëta. Të burgosurit në Goli Otok nuk kanë pasur kurrfarë të drejtash. Ata janë trajtuar si numra dhe e tërë aparatura shtetërore jugosllave ka qenë në funksion të thyerjes së tyre, të familjeve të tyre dhe rrethin më të gjerë, duke i nëpërkëmbur dhe përbuzur si njerëz.

“EPOKA E RE”: Çfarë ju kujton “Gropa e Petrit”?

BRAHA: Gropa e Petrit është një histori e veçantë. Ajo është krijuar në një gropë të braktisur nga investitorët italianë prej shumë vitesh më parë, kur ky bregdet ishte nën administrimin italian, pasi kanë konstatuar se kualiteti i boksitit ishte i dobët dhe nuk mund të sillte përfitime financiare. Me hapjen e llogores të Goli Otokut për izolimin dhe ndëshkimin e kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë, kjo gropë u shfrytëzua për izolimin dhe ndëshkimin e atyre personave që quheshin të pathyeshëm, ose të parevidueshëm. Kjo gropë, që kishte thellësi prej tetë metrash dhe diametër prej 20 metrash, kishte dhe murin përreth në lartësi prej tri metrash, ishte shumë e përshtatshme për këtë qëllim. Në të u vendos me grupin e parë edhe Petar Komneniq, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, andaj në zhargonin e të burgosurve është mbiquajtur “Gropa e Petrit”. Brenda saj janë vendosur 130 persona në një barakë dhe ata ishin plotësisht të izoluar prej të tjerëve dhe me trajtim tej mase të egër. Ndër këta është një shqiptar, Qamil Brovina. Të jesh me vite në këtë gropë, ishte një përplasje e jetës për shkëmbi.

Burgu i fashizmit ishte kopsht; burgu i nazizmit ishte lulishte; burgu i komunizmit pansllavist ishte ferr!

“EPOKA E RE”: Në librin tuaj kemi parë dhjetëra dokumente, dhjetëra faksimile, edhe disa lista të të burgosurve politikë shqiptarë në Goli Otok që keni marrë nga Arkivi i Kroacisë, pas nxjerrjes së listës së UDB-së në periudhën e viteve 1949-1961. Gjenden aty 468 shqiptarë, me emër dhe mbiemër, të burgosur në Goli Otok, të moshave të shtyra e të reja. Çfarë ju kanë rrëfyer ata për ditët e trishta të përjetuara në atë burg?

BRAHA: Secili rrëfim i atyre që kanë kaluar nëpër torturat dhe mundimet e Goli Otokut është rrëqethës, sepse në kushtet e krijuara enkas për shpërfytyrim të njeriut, të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor, për shkatërrimin fizik e psikik të tij, objektivisht ka qenë shumë e vështirë t’u qëndrosh. Vetëm një qëllim fisnik dhe i lartë, bën, që në kohën e dërrmimit tënd fizik, të jesh superior moralisht mbi shkaktuesin e dhembjeve tua. Kjo gjithnjë i ka bërë hetuesit ta ndjenin epërsinë e forcës morale ndaj asaj fizike. Të gjithë shqiptarët që kanë qenë në Goli Otok, por edhe në burgjet e tjera, lidhen me veprimtarinë irredentiste, pavarësisht nga bindjet ideologjike, që në finale kishte gjithnjë qëllimin e shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë, qoftë me të drejtën e vetëvendosjes, qoftë me luftë të armatosur.  Profesori i nderuar, Sami Peja, që ka qenë pjesëmarrës i LANÇ-së, ka qenë i dënuar me 13 vjet dhe ka vuajtur në Goli Otok. Në pyetjen e profesorit Skender Riza, se cili është dallimi ndërmjet burgjeve të Italisë fashiste, të nazistëve gjermanë dhe të komunistëve jugosllavë, ai përgjigjet kështu: “Burgu i fashizmit ishte kopsht; burgu i nazizmit ishte lulishte; burgu i komunizmit pansllavist ishte ferr! Në Goli Otok shtatë herë më kanë sjellë në prag të vdekjes e shtatë herë më kanë ngjallur”. Vladimir Bobinac, një kroat i dënuar, për Goli Otokun thotë: “Në llogoret e kampet në Gjermani, në Siberi, në Kroaci… mbytej trupi, kurse në kampin e Goli Otokut mbytej njeriu brenda njeriut”. Ja, pra, si e përjetonin Goli Otokun ata që kanë pasur fatin e keq të gjendeshin atje në ato kohë tepër të rënda.

Lista e të burgosurve politikë shqiptarë në Goli Otok është përpiluar duke i nxjerrë nga Lista e madhe, duke i ndarë ata edhe sipas komunave, edhe sipas llojit të dënimeve, duke i përfshirë të gjithë të burgosurit shqiptarë nga trevat e tyre jetësore, nga Kosova, Maqedonia dhe nga Mali i Zi.

“EPOKA E RE”: Edhe sa dosje ende s’janë bërë publike për të burgosurit në Goli Otok?

BRAHA: Askush s’e di saktë se sa dosje janë për të gjithë ata që kanë kaluar në kampin e Goli Otokut. Ka të dhëna se nëpër këtë ishull kanë kaluar 32 000 persona, këtë e thotë Ante Rashtegorci, zëvendësdrejtor shumëvjeçar i Goli Otokut, që nga themelimi i tij. Ka të tjerë që thonë se janë mbi 60 000 vetëm për periudhën 1949-1961. Ka shumë të tjerë edhe nga radhët e shqiptarëve, që kanë vuajtur dënimet atje deri në vitin 1988, kur ky kamp, llogore e burg, përfundimisht mbyllet.

Doktori: Do t’i lëmë morrat që t’ju hanë

“EPOKA E RE”: Sa të burgosur janë vrarë në Goli Otok dhe, sa prej tyre shqiptarë?

BRAHA: Sipas Listës së ruajtur në Arkivin e Kroacisë, kanë vdekur ose janë vrarë gjithsej 413 persona, por janë evidentuar edhe 56 persona që nuk figurojnë në këtë listë. Sipas rubrikës së arsyes së vdekjes, del se numri më i madh i të vdekurve është nga tifoja. Por, edhe kjo është vrasje, sepse nuk është bërë asnjë përpjekje për ta parandaluar epideminë e tifos, bile një doktor zyrtar i thotë një kolegu të vet të dënuar: “Do t’i lëmë morrat që t’ju hanë”. Kaq ishte humaniteti i tij dhe i atyre që udhëhiqnin këtë kamp.

 “EPOKA E RE”: I kemi lexuar kujtimet dhe dëshmitë e të burgosurve në ishullin e Goli Otokut që keni përfshirë në libër. Na kanë tronditur rrëfimet e tyre në atë “muze njerëzish” që mijëra mbijetojnë e qindra vdesin. Po, sa mund të themi se janë të shëndoshë të mbijetuarit?!

BRAHA: Personat që kanë vuajtur dënimet në Goli Otok, sidomos ata të periudhës në trajtim, kanë qenë të gjithë me sëmundje të ndryshme. Të gjithë kanë qenë të traumatizuar, qoftë me pasoja fizike, qoftë me ato psikike. Në ato rrethana të rënda mendja errësohet dhe shpesh edhe vetëvrasja ishte e vetmja zgjidhje. Askush që rrëfen për ato kohë traumatike nuk mund të kalojë pa u ripërjetuar trauma, andaj shumë prej përjetuesve të tyre kanë folur pak, ose aspak. Nëse do të përshkruhej vetëm një ditë e tillë, do të shkruhej një roman, siç ka bërë Solzhenjicini në romanin “Një ditë e Ivan Denisoviqit”, që ka hapur një dritare për botën për ta njohur realitetin e hidhur dhe plot vuajtje në Gullagët e Bashkimit Sovjetik, ku kalbeshin e veniteshin miliona njerëz nga krimi i organizuar shtetëror. Asgjë më pak dramatike nuk do të ishte përshkrimi i një dite në ishullin kamp të Goli Otokut. Disa prej shkrimtarëve sllavë e kanë trajtuar temën e Goli Otokut, që deri vonë ka qenë temë tabu, sepse me të godisnin drejtpërdrejt në sistemin diktatorial të vendit, që binte ndesh me pasqyrën e rrejshme të Jugosllavisë në botë.

Të dhënat për të burgosurit në Goli Otok janë në Beograd

“EPOKA E RE”: Asnjëra prej historiografive të shteteve të formuara pas shkatërrimit të Jugosllavisë nuk ka bërë sa duhet për hapjen e dosjeve për të burgosurit në Goli Otok. Pse kjo “varrosje” e fakteve?

BRAHA: Goli Otoku ka qenë nën juridiksionin e UDB-së federative të Jugosllavisë, rrjedhimisht të gjitha të dhënat, dëshmitë dhe kombinimet e mundshme janë atje, në Beograd, në Serbi. Besoj se e vërteta e plotë do të shtyhet për kohë të tjera, ndoshta do të presë ndryshimet e mëdha në Serbi, nëse ndonjëherë bëhen, sepse ajo është, siç ka qenë, antidemokratike, thellësisht e tillë, me politika afatgjatë gjenocidale ndaj fqinjëve të saj, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Një lloj indiference në këto vende vjen edhe prej faktit se Goli Otoku ishte burg, llogore e komunistëve kundër komunistëve, që kishte si bazë ndëshkuese ideologjinë komuniste projugosllave ndaj asaj prosovjetike. Nëse kjo mund të thuhet për serbët, malazezët, kroatët etj., kjo nuk vlente në asnjë rast për shqiptarët, të cilët në përgjithësi ishin kundër Jugosllavisë dhe pro Shqipërisë, e cila nga ky konflikt në familjen socialiste doli nga tutela jugosllave, e cila ishte gati për ta gllabëruar, duke lozur me kartën e Kosovës, që do t’i bashkohej asaj, nëse Shqipëria i bashkohet Jugosllavisë. Animi kah Bashkimi Sovjetik, Shqipërisë i hapte dy mundësi, daljen nga sfera e Jugosllavisë dhe, ndoshta, përfitim nga ndërhyrja eventuale ushtarake ruse në Jugosllavi, me bashkëngjitjen e Kosovës, si një lloj premtimi i dhënë.

“EPOKA E RE”: Çfarë i mungon librit tuaj? Pra, në rast të ribotimit, çfarë do të plotësonit në të?

BRAHA: Pikërisht kjo i mungon, mundësia për të pasur në dorë materialet nga Arkivi i Serbisë, sepse aty janë mbyllur të gjitha mashtrimet, falsifikimet dhe planet e Serbisë, së paku për dyqind vjetët e fundit. Heqja e kësaj velloje do ta nxirrte Serbinë krejtësisht cullak me të gjithë shëmtinë e saj të jashtme e të brendshme. Po ashtu, besoj se i mungon edhe pjesa e dytë, që do ta kapte periudhën pas vitit 1961 deri në mbyllje, sepse ashtu do të kishim një tërësi përmbajtjesore. Këtë plani kam dhe shpresoj ta përmbush.

Krimet e përmasave të tilla, si në Goli Otok, nuk vjetrohen

“EPOKA E RE”: Çfarë do të thoshit në fund?

BRAHA: Jugosllavia si shtet artificial dhe i ringritur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ka bërë një sërë krimesh gjenocidale, të cilat kanë mbetur të pandëshkuara nga Bashkësia Ndërkombëtare për shkak të konjukturave globale politike dhe të ndarjes së sferave të interesit. Si shtet,  Jugosllavia ka kryer shumë krime mbi qytetarët e vet dhe për to s’ka dhënë asnjë përgjegjësi. Le t’i shohim disa prej tyre.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ka pushkatuar, pa procedurë gjyqësore, dhjetëra mijëra ushtarë të armikut të zënë robër. Mbetjet e tyre po zbulohen kohën e fundit në varrezat masive në Slloveni, Kroaci dhe në Serbi;

Menjëherë pas LDB-së janë pushkatuar pa gjyq rreth 50 000 gjermanë të Vojvodinës për shkak të përkatësisë etnike të tyre;

Janë dëbuar dhunshëm rreth 800 000 mijë gjermanë nga shtëpitë e veta në Vojvodinë duke ua konfiskuar pasurinë e tyre të paluajtshme;

Janë pushkatuar pa gjyq disa dhjetëra mija hungarezë për shkak të etnisë së tyre dhe disa dhjetëra mija janë shpërngulur dhunshëm në Hungari;

Janë shpërngulur dhunshëm mbi 100 000 italianë dhe janë pushkatuar pa gjyq 5 000 prej tyre;

Janë vrarë në Tivar disa mijëra shqiptarë të Kosovës;

Janë shpërngulur dhunshëm 350 000 shqiptarë në Turqi, duke ua ndërruar kombësinë arbitrarisht në turq.

Për krimet e bëra me forcën e shtetit të Jugosllavisë shprehet në mënyrë të qartë Aleksandër Rankoviqi, nënkryetar i shtetit, në Kuvendin Federativ, më 1 shkurt 1951, kur deklaron: “Nëpër burgjet dhe kampet tona, prej vitit 1945 deri në vitin 1951, kanë kaluar 3 777 776 persona dhe kemi likuiduar 586 000 armiq të popullit”, që është një e katërta e popullatës, ndërsa të vrarë pa gjyq në çdo milion janë vrarë 41 875 qytetarë. Ky është shteti totalitar i Republikës Socialiste federative e Jugosllavisë.

Kjo është fytyra e vërtetë e shtetit socialist jugosllav me fytyrë humane, që vetëm humane s’mund të ishte; përveç në vitet e ’70, që shumë shpejt pasohen nga vitet e diktaturës, terrorit dhe gjenocidit. Goli Otoku ishte dhe mbetet një nga historitë e trishta të krimeve shtetërore jugosllave, që ka mbetur gjithanshëm e pandëshkuar. Krimet e përmasave të tilla nuk vjetrohen. Ato janë krime kundër njerëzimit. Trashëgimtare e Jugosllavisë, në masën më të madhe i takon Serbisë, rrjedhimisht edhe detyrimet dhe përgjegjësitë.

Lajme të sponsorizuara