Hajdari: Më bindi projekti i Gjilanit

21 janar 2019 | 21:47

Futbollisti që ka hyrë në historinë e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Fiton Hajdari, është ndarë me skuadrën e Llapit dhe është bërë pjesë e Gjilanit.

Sulmuesi anësor Fiton Hajdari është larguar nga skuadra e Llapit dhe është prezantuar në skuadrën e Gjilanit. 27-vjeçari gjatë verës e kishte braktisur skuadrën e Trepçës ’89 për t’u rikthyer në klubin e vendlindjes se tij, por në këtë afat kalimtar ai vendosi të largohet. Hajdari e braktisi Llapin që është në garë për titull për t’iu bashkuar Gjilanit që është jashtë garës për titull dhe Kupë.

Hajdari për “Epokën e re” ka treguar se projekti i klubit nga Anamorava e ka bindur për t’iu bashkuar në këtë afat kalimtar. “Jam i lumtur që jam pjesë e Gjilanit. Ofertën e tij e pranova pa asnjë hezitim kur e pashë projektin e klubit që ka ambicie serioze për edicionin e ardhshëm. Siç dihet, Gjilani është një klub shumë serioz dhe ka tifozë shumë të mirë, prandaj është kënaqësi për mua se do të mbrojë ngjyrat e këtij klubi”, ka thënë Hajdari.
Sulmuesi që shkroi historinë duke u bërë lojtari i parë nga Kosova që realizon gol në garat e Ligës së Kampionëve ka treguar se ngjyrat e Gjilanit do t’i mbrojë deri në qershor të vitit të ardhshëm.

“Kontratë kam nënshkruar deri në qershor të vitit 2021. Do të mundohem maksimalisht që të kontribuojë në sukseset e kësaj skuadre”, ka shtuar Hajdari, i cili dy vjet më parë dha një kontribut të madh në rrugëtimin e Trepçës ’89 drejt titullit kampion. Gjilani, përveç Hajdarit, nga skuadra e Llapit e ka transferuar edhe mesfushorin Kushtrim Shabani, i cili për faqen e klubit gjilanas ka deklaruar: “Gjilani është një klub mjaft serioz dhe ka ambicie të mëdha me një projekt fantastik, prandaj nuk ishte e vështirë ta bëja zgjedhjen time, se ku ta vazhdoj karrierën. Falënderoj edhe tifozët për mikpritjen. Shpresoj që së bashku të fitojmë shumë ‘beteja’”.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur…