Haradinaj: Të gjithë së bashku do ta mbajmë Kosovën të pastër

01 dhjetor 2018 | 14:10

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe gjenerali John Boyd, nga KFOR-i amerikan, i janë bashkuar edhe sot aksionit të pastrimit në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, që u zhvillua në magjistralen Prishtinë- Pejë, deponia afër rrugës kryesore në fshatin Dollcë.

Kryeministri Haradinaj tha tashmë janë gati deri në largimin e plotë të bërllokut dhe shtoi se i ka pëlqyer fjala e gjeneralit Boyd kur tha se më e mira e Kosovës janë njerëzit e tij, populli.

”Jam i bindur se njerëzit e Kosovës, kanë me e ruajtur Kosovën e pastër që më mos të gjuhet bërllok edhe mendoj që po e përmbyllim tani diku në mes të dhjetorit aksionin për pastrim. Jam thellë i bindur që do të jemi bashkë që vendin tonë ta ruajmë tash e tutje, ta mbajmë të pastër. Besoj që do ta ruajmë Kosovën e pastër dhe nuk do të gjuhet më bërllok dhe për këtë duhet të jemi bashkë”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Gjenerali i KFOR-it, John Boyd, tha se tre muaj më vonë është i lumtur të shoh progresin që është bërë.

”Më e bukura e këtij vendi, janë njerëzit e tij. Derisa ne largojmë bërllokun dhe e bëjmë Kosovën të pastër, kjo është një dëshmi për njerëzit e këtij vendi dhe sa i bukur është vendi i tyre. Jam krenar që jam pjesë e tij”, tha gjenerali Boyd.

Nga ana e tij, Koordinatori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj tha se janë në fazën e fundit të aksionit ta pastrojmë Kosovën dhe se tani janë të fokusuar në brezin rrugor, ku sipas tij janë rreth 85 deponi ilegale të cilat deri më 15 dhjetor do të pastrohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka kujtuar…