Haxhiu pranon raportin e BE-së për zgjedhjet e 2025-s
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.
Kjo e fundit, gjatë takimit ia ka dorëzuar Haxhiut raportin e Misionit të Ekspertëve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si dhe raportin lidhur me misionin vlerësues për zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor 2025.
“U pajtuam që këto procese zgjedhore ishin dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës. E sigurova znj. Eva Palatova se gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura në raportet vlerësuese do të shqyrtohen me kujdes dhe do të adresohen me përgjegjësi, në funksion të forcimit të mëtejmë të proceseve zgjedhore në Kosovë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj standardeve demokratike, sundimit të ligjit dhe rrugës së saj evropiane”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.



