Historia e Bakus i përsëritet Karaqit edhe në Minsk

30 qershor 2019 | 13:09

Alvin Karaqi ka mbetur tejet i mërzitur me mënyrën se si nuk arriti të fitojë medalje në Lojërat e dyta Evropiane “Minsk 2019”.

Karateisti Karaqi ishte pranë medaljes, por në sekondën e fundit, ukrainasi Valerii Chobotov e mposhti me Ippon, duke e kthyer rezultatin nga 3:1 për Alvinin në 3:4.

Ai më pas mposhti malazezin Nikola Maleviq, por humbja edhe ndaj kroatit që u shpall kampion, Ivan Kvesiq, bëri që të mos kualifikohet në gjysmëfinale, ku e priste të paktën medalja e bronztë. Sipas Karaqit, fati i njëjtë me Lojërat Evropiane “Baku 2015” iu përsërit edhe sot.

“Historia u përsërit. Në Baku 3 sekonda, ndërsa në Minsk 2 sekonda më ndanë nga medalja. Nuk kam fjalë me e përshkruar se sa e rëndësishme ka qenë kjo garë për mua, duke marrë parasysh se në çka kam kaluar vitin e fundit, nga operimi e deri këtu. Nuk isha në më të mirën time, por arsyetime humbësit kanë gjithmonë. Prandaj, i uroj Kosovës me gjithë zemër 3 medaljet në këto Lojëra duke shpresuar për më shumë çdo garë e tutje”, ka shkruar Karaqi në “Facebook”.

Alvini zuri vendin e tretë në grupin B të kategorisë -84 kilogramë, duke lënë pas medalistin e bronztë evropian, Maleviq, të cilin e mposhti në luftën e tretë.

Ai në Baku kishte dalë i katërti, kurse medaljet u kishin takuar vetëm tre të parëve, kurse në “Minsk 2019”, u ndanë medalje për katër të parët.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, nëpërmjet një postimi në…