Juve bie në ‘Olimpico’

07 dhjetor 2019 | 23:17

Lazio mposhti Juventusin me shifrat 3-1 në një sfidë spektakolare, të vlefshme për javën e 15-të në Serinë A italiane.

Një ndeshje plot raste, gola dhe emocione në “Olimpico” të Romës, ku titullar ishte edhe portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha. Që në minutat e para, ai priti një goditje të Dybalës, duke qenë një siguri për Lazion. Por, ishte Ronaldo që e mposhti, me Strakoshën që nuk kishte çfarë të bënte në minutën e 25-të, pasi portugezi doli i zbuluar shumë pranë shqiptarit, dhe nuk e pati të vështirë të zhbllokojë shifrat.

Gjithsesi, Lazio e mbylli pjesën e parë në barazim. Në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, Luis Alberto dha një harkim fantastik në zonë, dhe me kokë Luiz Felipe çoi ekipet në dhomat e zhveshjeve në barazim 1-1.

Pjesa e dytë pa ekipin e Sarrit edhe më në vështirësi. Cuadrado shkaktoi faull si lojtar i fundit në minutën e 69-të, dhe kryesori Fabri pasi e pa rastin me VAR, vendosi që ta ndëshkonte me karton të kuq kolumbianin. Vetëm 5 minuta më pas, ishte serbi Sergej Milinkoviç-Saviç, ai që uli një pasim tjetër fantastik nga Luis Alberto, dhe me të majtën mposhti Sheznin me një realizim mjaft të bukur.

Në të 79-tën, Imobile shpërdoroi një penallti, të shkaktuar nga Shezni. Vetë polaku, priti në dy raste ndaj Imobiles, që u duk sikur mbajti në lojë Juvne. Por, kapitullimi i kampionëve erdhi në minutën e 95-të, ku Kaisedo shënoi edhe golin e tretë për Lazion. Me këtë fitore Lazio mban vendin e tretë dhe shkon në 33 pikë, duke iu afruar Juves me vetëm 3 pikë. Juvja pëson humbjen e parë këtë sezon, dhe mbetet në vendin e dytë me 36 pikë. Buzëqesh Interi, që pas barazimit të djeshëm me Romën, çon në 2 pikë diferencën me “Zonjën e Vjetër”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anthony Joshua ka fituar me pikë në revanshin ndaj Andy…