KMDLNj: Srebrenica, vendi ku drejtësia e mundi gjenocidin

24 maj 2024 | 14:58

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

KMDLNj ka theksua se ndonëse kjo rezolutë nuk prodhon efekte juridike dhe nuk është detyruese – obligative, për të drejtat e njeriut është një e arritur e madhe për faktin se qartë e cilëson krimin në Srebrenicë si gjenocid.

“Në korrik të vitit 1995 ushtria, policia dhe paramilitarët serbë nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, tani i dënuar për krime lufte dhe gjenocid vranë dhe masakruan mbi 8000 boshnjakë për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare. Boshnjakët e ekzekutuar ishin nën mbrojtje të ushtarëve holandezë të forcave të Kombeve të Bashkuara të cilat ia dorëzuan kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, gjeneral i ushtrisë jugosllave. Disa qindra boshnjakë konsiderohen të zhdukur deri më sot. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë e cilësoi këtë krim si gjenocid mirëpo nuk e bëri përgjegjëse Jugosllavinë dhe Serbinë për këtë. Me nismën e disa shteteve, Kombet e Bashkuara miratuan një Rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet si Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit që ndodhi në Srebrenicë. Ndonëse kjo rezolutë nuk prodhon efekte juridike dhe nuk është detyruese – obligative, për të drejtat e njeriut është një e arritur e madhe për faktin se qartë e cilëson krimin në Srebrenicë si gjenocid duke adresuar saktë përgjegjësinë për këtë krim dhe të tjera në hapësirat e ish-Jugosllavisë sikur që është një satisfakcion moral për viktimat në Srebrenicë dhe të gjitha viktimat tjera në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Shënimi i kësaj dite në kalendarin e Kombeve të Bashkuara si përkujtim i Gjenocidit në Srebrenicë forcon dhe ruan kujtesën historike ndërkombëtare për krime të tmerrshme e që identifikohen me Gjenocidin në Srebrenicë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së. Miratimin e kësaj rezolute, KMDLNj e konsideron si shumë të rëndësishme që të mos harrohet e kaluara dhe një porosi për ata që planifikojnë krime në të ardhmen se këto krime nuk do të mbesin të pahetuara dhe të padënuara, qoftë edhe moralisht. KMDLNj shpreson dhe pret se në një të ardhme të afërt të miratohen Rezoluta për Gjenocidin në Gaza dhe në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hansi Flick te Barcelona është një marrëveshje e mbyllur, pritet…