Komiteti i ONDSh-së të grave në Prizren

25 tetor 2018 | 10:53

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Procesi Gjyqësor i Prizrenit më 1946 sipas dokumenteve të gjykatave ish-jugosllave. Para trupit gjykues dolën 34 patriotë të cilëve gjyqi ua shqiptoi dënimet: 6 veta i dënoi me pushkatim, të tjerët me vite të shumta burg) /3/

Duhet cekur se në Komitetin e Rrethit në Prizren, në kuadër të tij, vepronte edhe komiteti i grave, i cili kishte për detyrë organizimin e grave dhe grumbullimin e ndihmave materiale për grupet që ishin në male. Udhëheqëse e këtij komiteti ishte caktuar: Gjulijana Mateja (kryetare e komitetit të grave), Luçije Bashota, e cila ishte caktuar sekretare e komitetit, anëtare të tij ishin: Roza Mjeda, Laura Shmani, gruaja e Ali Rizës, Roza Cuki, Mona Shyti, Mrika Prenkaj, Nesibe Zhuri dhe Çeçilije Krasniqi.

Atdhetarët të cilët u arrestuan

Personat të cilët u arrestuan dhe iu dorëzuan gjyqit nga Komiteti Qendror ishin:

Halim Spahija, Tahir Deda, Fehim Ibrahimi, Abdullah Rexhepi, Hasan Rrustemi, Maliq Balija dhe Basri Sallkoviqi.

Nga komiteti i Rrethit në Prizren u arrestuan: Xhemil Fluku, Sefedin Ahmeti, Abdullah Hajrullahu, Abdullah Hamza dhe Sinan Hazëri. Nga Komiteti i rrethit në Rahovec u arrestuan: Rifat Krasniqi, Kajtaz Ramadani, Ahmet Dërguti, Kadri Minushi, Sheh Mujedini dhe Vahid Mustafa. Nga komiteti i Rrethit të Suharekës u arrestuan: Xhemil Jemini, Sadik Mehmeti-Peçani, Ibrahim Abdyli, Muhamet Veseli.

Nga komiteti i grave në Prizren u arrestuan: Laura Shmani, italiane, Nesibe Zhuri, motra e Sali Zhurit, Gjulijana Mateja, Mane Shyti, Luçija Bashota, Çeçilije Krasniqi, Roza Mjeda, Mrika Gjoka dhe Roza Cuki.

U arrestuan edhe personat që mbanin lidhjet në mes të grupeve dhe komiteteve: Rexhep Abdullah Kabashi, Kadri Ramadani-Topalli dhe Ruzhdi Kabashi.

Dënime drakonike u shqiptuan për atdhetarët

Pas arrestimeve të anëtarëve të ONDSh-së, organet e ndjekjes filluan hetimet ndaj tyre. Pas hetimeve të gjata e të mundimshme për të arrestuarit, pas analizave e dëshmive të dëshmitarëve, më 20 tetor 1945 kishte filluar procesi gjyqësor i të pandehurve. Procesi gjyqësor kishte zgjatur 6 ditë. Gjykimi ishte i hapur dhe në të gjitha seancat kishte marrë pjesë Prokurori Publik i Kosovës, Ali Shukria. Më 27 shtator 1945, në sallën e mbushur me të akuzuar në Prizren, ishte shpallur vendimi në emër të popullit të Jugosllavisë dhe të pandehurve që ishin 34 veta, iu shqiptua dënimi si: Halim Spahin, Tahir Dedën, Rifat Krasniqin, Sefedin Ahmetin, Rexhep Avdullah Kabashin dhe Kajtaz Ramadanin me dënimin e vdekjes me pushkatim dhe dënimin e humbjes të përhershme të të gjithë të drejtave politike e qytetare dhe me konfiskimin e tërë pasurisë së tyre.

Ahmet Dërgutin, Kadri Minushin dhe Xhemil Flukun me dënim të humbjes së të drejtave të lirisë dhe me punë të detyrueshme të vazhdueshme 20 (njëzet vjet) me kusht që t’u llogaritet prej ditës së arrestimit dhe me humbjen e të drejtave politike dhe disa të drejtave qytetare, përveç të asaj prindërore në vazhdim prej 10 vjetësh që do të llogariten mbasi të kryhet dënimi.

  1. I pandehuri Maliq Balija me dënim humbjen e të drejtave të lirisë dhe me punë të detyrueshme me vazhdim prej 17 (shtatëmbëdhjetë vjet), me kusht që t’i llogaritet ndëshkimi nga data e arrestimit dhe me humbjen e të drejtave politike e disa qytetare përveç asaj të prindërve me vazhdim prej 8 vjetësh e cila do t’i llogaritet mbas kryerjes së dënimit.
  2. I pandehuri Abdul Rexhepi me dënim humbje lirie dhe pune të detyrueshme të vazhdueshme prej 12 vjet (dymbëdhjetë vjet), me kusht që dënimi t’i llogaritet prej datës së arrestimit, dhe me humbjen e të drejtave politike e disa qytetare përveç asaj princore, të vazhdueshme prej pesë vjetësh që do të llogariten mbas kryerjes së dënimit.

III. I pandehuri Kadri Ramadani me dënim humbjen e lirisë dhe me punë të detyrueshme të vazhdueshme për 10 vjet (dhjetë vjet), me kusht që dënimi t’i llogaritet prej datës së arrestimit dhe me dënim të humbjes të të drejtave politike e disa qytetare, përveç asaj princore të vazhdueshme për pesë vjet, që do t’i llogaritet mbasi ta kryejë burgimin.

  1. I pandehuni Fehim Ibrahimi me dënim të humbjes të lirisë dhe punë të detyrueshme të vazhdueshme 8 vjet (tetë vjet), me kusht që t’i llogaritet dënimi prej datës së arrestimit dhe me dënim humbjen e të drejtave civile përveç atyre prindërore të vazhdueshme për 4 vjet që do t’i llogaritet mbasi ta kryejë ndëshkimin.
  2. I pandehuri Basri Sallku Boshnjaku me dënim të humbjes së lirisë dhe punë të detyrueshme të vazhdueshme prej 7 vjetësh (shtatë vjetësh), me kusht që t’i llogaritet dënimi prej datës së arrestimit dhe me dënim të humbjes të të drejtave civile dhe disa qytetare, përveç asaj princore, të vazhdueshme për tre vjet, që do t’i llogaritet mbasi ta kryejë dënimin.
  3. I pandehuri Vahit Mustafa me dënim humbje lirie e punë të detyrueshme të vazhdueshme prej 4 (katër) vjetësh, me kusht që dënimi t’i llogaritet që nga data e arrestimit dhe me humbjen e të drejtave politike e disa qytetare, përveç asaj prindërore, të vazhdueshme prej dy vjetëve, që do t’i llogaritet mbasi ta kryejë dënimin.

VII. Të pandehurit Abdullah Hajrullahu, Abdullah Hamëza, Sadik Peqani e Qamil Emini, me dënim humbje lirie e pune të detyrueshme të vazhdueshme për një vit, me kusht që t’u llogaritet qysh nga data e arrestimit.

VIII. Të pandehurit Hasan Rrustemi e Sheh Muhedini me dënim humbje lirie dhe pune të detyrueshme të vazhdueshme për një vit ndëshkim, i cili pezullohet me kondita dyvjeçare.

Lirohen nga aktakuza të pandehurit Sinan Hazëri, Ruzhdi Kabashi, Ibrahim Abdyli dhe Muhamet Veseli për mungesë provash dhe urdhërohet lirimi i tyre në mos qofshin të ndaluar për shkak tjetër.

Ky vendim jepet me të drejtë apelimi me afat 8 ditë.

Vdekje fashizmit, liri popullit!

Prizren 27. IX. 1945

Sekretar: Mustafë Biçoku; anëtar Kolë Shiroka; anëtar Qamil Brovin; dhe kryetar Hivzi Sylejmani.

Nga vitet që iu shqiptuan del e dhëna se 6 persona u dënuan me pushkatim, 4 veta u liruan nga aktakuza, ndërsa grupit iu shqiptuan 124 vjet burg të rëndë.

Procesi gjyqësor për komitetin e grave të NDSh-së në Prizren

Gjykata Popullore, më 23 tetor 1945, mbajti procesin gjyqësor për gratë, veçan ngaqë i frikohej turmës së grumbulluar para sallës ku mbahej procesi, andaj ishte e detyruar që gratë t’i ndante dhe të mbahej një proces gjyqësor i veçantë. Të gjitha të burgosurat Prokuroria Publike e Kosovës i akuzonte në bazë të nenit 6 të ligjit mbi fajet kundër popullit dhe shtetit në lidhje me nenin 1, pika 10 e 9 dhe nenit 8, alineja 1, të ligjit mbi llojin e dënimeve dhe ligjit mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit.

  1. Laura Shmanit iu shqiptua dënimi me humbje lirie prej 5 vjetësh burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme në vazhdim prej pesë vjetësh. Dënohej me humbjen e të drejtave politike e disa qytetare me përjashtim të atyre prindërore në vazhdim prej pesë vjetësh, aq sa iu kishte llogaritur pas vuajtjes së dënimit dhe me dënim të konfiskimit të një shtëpie në rrugën “Marrshall Tita” në Prizren.
  2. E dënuara e dytë ishte Gjulijana Mateja, e cila u dënua me 2 vjet burg, me punim të detyrueshëm në vazhdim prej dy vjetësh, me kusht që dënimi t’i llogaritet nga dita e arrestimit, me humbjen e të drejtave politike dhe disa qytetare, përveç asaj prindërore në vazhdim prej tre vjetësh, që do t’i llogaritet pas vuajtjes së ndëshkimit.
  3. Luçije Bashotës Gjykata Popullore i shqiptoi dënimin prej një viti burg, me punë të detyrueshme me vazhdim prej një viti, që do t’i llogaritet prej ditës së arrestimit.
  4. Edhe Roza Mjedës gjykata i shqiptoi dënimin prej një viti burg me punë të detyrueshme.
  5. Nesibe Zhuri po ashtu u dënua me një vit burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme.
  6. Roza Cukit iu shqiptua dënimi prej një viti burg, ku ishte e obligueshme për punë të detyrueshme derisa i zgjatë koha e burgosjes. Ndërsa nga aktakuza u liruan Mane Shyti, Çeçilija Krasniqi dhe Mrika Gjoka. Kështu që grave iu shqiptuan 11 vjet burg. Grupit të të burgosurve prej 34 vetave iu shqiptuan 135 vjet burg dhe 7 veta u dënuan me pushkatim, ndërsa 7 veta u liruan nga aktakuza. Mesatarja e dënimeve ishte 6 vjet, 7 muaj e 5 ditë burg.

Edhe pse u dënuan dhe vuajtën burgun, të gjithë të dënuarit asnjëherë nuk u penduan dhe nuk i treguan shokët me të cilët vepruan ilegalisht. Bile edhe pas daljes nga burgu disa nga ata kishin vazhduar veprimtarinë ilegale, siç ishte rasti i Nesibe Zhurit, e cila më vonë u angazhua në organizatën ilegale “Lidhja e Prizrenit” që veproi në Prizren. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Investitorëve Evropianë ka reaguar në lidhje me sulmin…