Kusari-Lila arsyeton mungesën e deputetëve të LV-së: Komisioni Hetimor absurd, s’i dihet synimi

18 dhjetor 2023 | 13:19

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, është duke bërë të kundërtën e asaj që kanë për qëllim komisionet e tilla.

Sipas saj, ky është komision absurd, të cilit sipas saj nuk i dihet synimi.

Ajo ka thënë se LV-ja nuk ka për qëllim që ta ndalojë punën e këtij komisioni me mospjesëmarrje pasi sipas saj, kjo parti vetë e ka votuar formimin.

Kusari-Lila, mungesën e deputetëve të LV-së në këtë komision në dy mbledhjet e fundit e ka arsyetuar se mbledhjet janë duke u bërë pa u marrë parasysh punët e komisioneve të tjera që janë caktuar më herët.

“Sido qoftë ne nuk kemi thënë se do të dështojmë punën e Komisionit. Komisioni vazhdon punën e vetë përkundër që kemi hezitime serioze apo dyshime serioze se mund të nxjerrë diçka krahas ose paralel me organet e hetuesisë. Por që fatkeqësisht menaxhimi i takimeve të këtij komisioni po bëhet në çakordim apo pa u marrë parasysh punët e komisioneve të tjera. Për shembull javën e kaluar ne ishim në Komision për Ekonomi, diskutimi ende vazhdonte ishte vetë ministrja aty, deputetët e opozitës ngritën nga komisioni dhe ne kishim kuorumin të vazhdojmë dhe vazhduam”.

“E njëjta ka ndodhur sot, në të njëjtën kohë mbahet një komision tjetër apo një grup punues, i cili ka mbikëqyrje të një projektligji, takime të caktuara që prej javës së kaluar, prapë ka takim të Komisionit Hetimor në të njëjtën kohë. Prandaj duhet që të kemi shumë kujdes edhe administrata, por edhe udhëheqësit e komisionit hetimor të dy nga opozita kur caktojnë takime të këtilla”, ka thënë Kusari-Lila për “EO”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur mbledhjen…