Lament për jetët e përcëlluara

09 qershor 2021 | 17:30

Hysen Matoshi

(Resmije Kryeziu, “Nën saç”, roman, Prishtinë, 2021)

Pasi e botoi romanin “Rrota e ujit”, Resmije Kryeziu e pati paralajmëruar vijimësinë e saj autoriale në fushën e prozës. Jam shumë i gëzuar që e mbajti fjalën dhe ne sot po flasim për romanin e saj të dytë. Përtej asaj që rëndom mund të thuhet se po bën detyrën ndaj kohës dhe vendit ku jetoi, e them me bindje se autorja po realizon pasionin a saj, përkushtimin në fushën e krijimit të artit letrar. Letërsia si materie studimore dhe letërsia si art kanë qenë dhe kanë mbetur përkushtimi i saj profesional dhe krijues.

Materia historike si brumë për artin letrar dhe letrarizimi i historisë sonë, si mënyrë e të shkruarit të saj, janë çështje që zgjojnë vëmendjen në jetën tonë kulturore e shkencore. Rrjedhimisht historizimi i letërsisë dhe letrarizimi i historisë janë fenomene që përcjellin, si krijimtarinë tonë letrare, ashtu edhe kontributet tona historiografike. Megjithatë, për mendimin tim, kjo shfaqje është krejt e natyrshme dhe madje-madje edhe funksionale e orientuese në kulturën tonë. Kjo dukuri lidhet me stadin e zhvillimit tonë dhe me kontekstin historik e kulturor të shqiptarëve. Fundja, kundruar në dimensionin human, mund të pohojmë se një ambient që ka prodhuar kaq shumë histori, për më tepër histori tragjike, nuk ka mundur të përjetohet me indiferencë nga krijuesit tanë letrarë. Përkundrazi, duke qenë pjesë e pandashme e kësaj hapësire, duke jetuar zhvillimet dramatike dhe duke i përjetuar fuqishëm ato – shumë nga krijuesit tanë të letërsisë– i kanë përjetësuar artistikisht përjetimet e tyre dhe përjetimet dominuese në ambientet e tyre.

Romani i dytë i Resmije Kryeziut, i titulluar “Nën saç”, është vijimësi e romanit të saj të parë “Rrota e ujit”, në planin e tematikës qendrore, pra të dhunës sistematike që bëhet mbi individin, familjen dhe qenien e përgjithshme shqiptare, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e në vitet vijuese, është transponim artistik i realitetit të vrazhdë, i përjetimeve që i thotë vetëm arti, i përshkrimit të asaj atmosfere të shtypjes e të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor që, si të tillë,asnjëherë s’e thonë dot statistikat. Objektivizmi, më parë se sa reaksion ndaj subjektivizmit të theksuar në letërsi, në dy romanet e Resmije Kryeziut shfaqet si pjesë e pandashme e tematikës që trajton, pra e të ndodhurave historike jehona e të cilave ka mbetur e shënuar në kujtesën kolektive. Ndonëse karakterizohet nga aspekte historike e dokumentare, ky roman nuk mund të quhet roman me tezë, roman që mëton të arrijë një objektiv etik ose pedagogjik, të përmbushë një detyrë të cilën autorja paraprakisht ia ka shtruar vetes. Është më shumë një përthyerje e natyrshme e të ndodhurave të gjithënjohura në unin autorial, një pikëshikim i veçantë në tragjedinë kolektive të qytetarëve të Pejës.

Gjurmët e kohës janë të pranishme gjithandej linjës narrative. Nisin me atmosferën e vendosjes së sundimit sllav dhe komunist, me torturimin masiv dhe edhe eliminimin që bëhej ndaj shqiptarëve, madje në trajtat më të vrazhda, për të vijuar me “otkupin” që ua linte sofrën pa bukë, me dëbimin masiv të popullsisë pejane të qytetit në drejtim të Anadollit, por edhe në drejtim të Kroacisë, me frikën që mbillte kudo UDB-ja dhe bashkëpunëtorët e saj, duke synuar spastrimin përfundimtar etnik dhe krijimin e hapësirës për të sjellë ceragorët etj. Romani është një kronikë tragjike e jetuar dhe e përjetuar në kujtesën e autores e të bashkëqytetarëve të saj, por gjithashtu e njohur në kronikat e në të dhënat faktografike.

Në rrafshin titullor, autorja ka ofruar një gjetje që i përgjigjet përmbajtjes së romanit, që e përfaqëson në mënyrë sintetizuese atë, duke e ndërlidhur me domethënien konvencionale frazeologjike të vënies së saçit dikujt, përkatësisht të vendosjes së dikujt nën saç. Frazeologjia jonë e begatë popullore e ka qartësuar kështu këtë veprim: “I vuri saçin dikujt, e vuri në një gjendje shumë të vështirë, e ngushtoi”. Ndërkohë që, në heqjen e saçit dikujt,kjo frazeologji e ka konceptuar të kundërtën e së parës: “Ia hoqi saçin dikujt, e shpëtoi nga një shqetësim i madh, e çliroi nga një hall i madh, bëri që ta ndiejë veten të qetë”. Titullimi i këtillë del përfaqësues për dhunën si kategori historike që ishte zhvilluar mbi shqiptarët, në këtë të rast të personifikuar në kryepersonazhin e romanit, muzikantit Halit Kasapolli, e cila në variacione përcëlluese, individuale, familjare e kombëtare, vinte si shqetësim, si hall dhe si shtypje në të gjitha dimensionet e jetës. Në aspektin titullor kjo gjetje korrespondon, larg e larg, kohërisht dhe hapësinorisht, me gjetjen e nobelistit gjerman, Herman Hese, i cili bezdinë dhe ndrydhjen makabre të sistemit konvencional arsimor të kohës së tij, qëvetë e kishte përjetuar si një traumë të rëndë, e kishte përshkruar aq bindshëm dhe aq bukur në romanin me titullin “Nën rrotë”. Edhe pse shtysat motivore janë qartësisht të ndryshme, në rastin e autores sonë vijnë nga përvoja të jetuara e të përjetuara kolektivisht, ndërsa në rastin autorit gjerman dalin si përvoja personale, teksa po e lexoja romanin “Nën saç” gjithë kohën kisha ndjenjën e një korrelacioni që zgjon asociacione për dy situata në të cilat qenia e njeriut vihet para një sprove të madhe ekzistenciale e të qenët a të mosqenët.

Atmosfera mbizotëruese e krimit dhe e lëngimit fizik e shpirtëror e përshkon tej e tej linjën narrative. Vrasja nis si lojë fëmijësh me pushka druri, si imitim që bota infantileia bën asaj adulte dhe përfundon si akt makabër, i shndërruar po në lojën e pushtetit mbi gjoja vdekjen aksidentale të kryepersonazhit.

Krahas përshkrimit të krimeve qëi bën pushteti komunist i sllavëve dhe i bashkëpunëtorëve të tyre, autorja ka ofruar aty-këtu edhe intermexo a fragmente që dalin jashtë kësaj logjike. Jo një herë janë funksionalizuar ironia dhe sarkazma, si mjete për të treguar tërë absurditetin e asaj periudhe historike. Në vijim po sjell vetëm dy shembuj që mjeshtërisht e dëshmojnë këtë mënyrë ligjërimi. E para, ka të bëjë me Qylymarskën, kooperativën e qilimave, përkatësisht me sigurimin e lëndës së parë për funksionimin e saj, që bëhej nëpërmjet konfiskimit klasik nga popullsia fshatare. “Bisedat e grave në mes të vegjëve ishin të lira… Një e re, gjatë pushimit të drekës, duke u mahitur, u tregonte shoqeve se si një hallë e burrit të saj nga Libusha u kishte thënë atyre të Otkupit, kur ata kishin shkuar për të satën herë për të kërkuar lesh… – A, opet erdhët për lesh, a? Po këta lesh të delmeve nuk rritet si kastravecat nëpër lehtëe kopshtit, e bollë qe besa, gjoja edhe në shi po rrinë, po nuk po qesin lesh ma shumë… Veç n’iau nuksha do lesh tem…”

Përtej skenave reale të torturimit e të vrasjes makabre të shqiptarëve që mbaheshin të ngujuar në kullën e Sheremetit e krimet mizore gjithandej Pejës, që bëheshin “në emër të popullit”, autorja ofron edhe situatën groteske të shpërdorimit të kësaj sintagme, të cilën e përmbanin,pa asnjë dallim, të gjitha vendimet e asokohshme të pushtetit gjyqësor, nëpërmjet rastit të vrasjes së një qeni po në emër të popullit: “Të vras në emën të popullit se ton natën ke leh e ua ke prish gjumin njerëzve të shkretë”.

Një linjë paralele e rrëfimit në roman është edhe ajo e dashurisë. Nisur nga thënia e Mahatma Gandit se “aty ku ka dashuri, ka edhe jetë”, qartësisht e kuptojmë se jeta e vështirë dhe plot krajata, e përshkruar në këtë roman rrëfimesh të vërteta, gjen te dashuria shtysën e saj themelore motivuese. Sado pasionale, sado e pafundme dhe e dyanshme, kjo dashuri përfundon tragjikisht. Lumja dhe Haliti nuk e përmbushin ëndrrën e tyre, dialogët e tyre të dashurisë dhe ëndrrat e pafundme të jetës i ndërpret vdekja enigmatike.

Ndonëse vijimësia stilistike e të rrëfyerit është e dukshme, ky roman, megjithatë, nuk mund të merret thjesht si një vëllimi vijues i të parit. Duke mos qenë produkt dominues i evokimit të përvojave personale, vërejmë një objektivizim më të madh të lëndës që rrëfehet, pra bëhet fjalë për një desubjektivizim në planin e narracionit, dhe njëkohshëm, në planin gjuhësor, kemi një njëjtësim dialektor më të madh, një identifikim me vendndodhjen kryesore të ngjarjeve të romanit.

Përgjithësisht romani “Nën saç” i Resmije Kryeziut, është kronikë e një kohe të vështirë, të ritreguar artistikisht, është shpërfaqje e një galerie personazhesh tragjike, e veprimeve makabre të bëra çnjerëzisht mbi popullatën e një qyteti, përkatësisht një kombi. Me një rrëfim të sinqertë, e duke ruajtur veçantitë etnokulturore dhe linguistike të protagonistëve të romanit, autorja ka shpalosur dimensionin e vuajtjes,të pësimeve dhe të dashurinë së mohuar të një kohe.

Pa i mohuar asgjë në planin artistik, kjo vepër letrare, në rrafshin intelektual e përgjithësisht human, është një lament, a një sallë e kënduar, për jetët e ndrydhura dhe të shuara padrejtësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…