LETËR JETËS

25 nëntor 17:38

RAGIP SYLAJ

Pata dashur t’i shkruaja Letër Vdekjes, por më duket se pata harruar që së pari e së fundi duhet çuar Letër Jetës.

E dashura Jetë, ti krijuesja ime, nuk e kemi çuar bash mirë njëri me tjetrin. Më ke ardhur shpeshherë e rëndë dhe padrejtësisht të kam përbuzur. Vetëm tash kur vjen koha të ta kthejmë shpinën e shohim sa e bukur dhe e mrekullueshme paske qenë. Ndoshta paskam gënjyer se nuk të doja, sepse kur isha në gjendje të keqe rrokesha pas teje si i mbyturi për shkume. Ti ishe foleja ime, fryma ime, blerimi dhe lulëzimi i vërgjilltë i Nënës Natyrë. Unë isha vetëm pseudo heroi yt, që me fjalën e bukur e luftonte të keqen dhe mendonte e shestonte ta ndërtonte kalanë e mirësisë. Kisha harruar se unë isha fëmija yt dhe me ty sillesha si fëmija i pasjellshëm me Nënën. Ah, vetëm unë e di sa të kam lënduar! Tash e kam kuptuar se ne kurrë nuk mund të të duam aq sa na do Ti neve.

Oh, ti na fal gjithmonë për gabimet tona, siç na fal e shtrenjta Nënë!

Ti më ke ushqyer kur kam qenë i uritur, ti më ke dhënë ujë kur kam qenë i etur, ti më ke veshur kur kam mbetur i zhveshur, ti më ke mbrojtur kur më ka sulmuar e keqja, ti më ke gëzuar kur më ka kapluar trishtimi.

Por, edhe kam kënduar për t’u liruar nga hidhësitë tua dhe për ta prekur shpeshherë edhe anën tjetër tënden. Ah, sa plagën ma ke shëruar e ma ke mbyllur, sa dhembjen ma ke larguar e sa lumturinë ma ke sjellë. Të kërkoj ndjesë e dashura Jetë, por me të  dashtë Ty gjithmonë kam menduar se është dobësi, se është egoizëm, madje edhe marrëzi…

Ti je bukuria e bukurive dhe dashuria e dashurive, mirësia e mirësive dhe kënaqësia e kënaqësive të pafundme. Ti je misteri i ekzistencës sonë. Ti je nëna e botës dhe trashëgimtarja jonë. Ah jetë, o jetë, ndoshta duke menduar se të urreja, pavetëdijshëm të paskam adhuruar!

E di se nuk po e zbuloj Amerikën e as ndonjë gjithësi tjetër, por nëse s’kam ditur ta bëj e ta them në fillim, po them më në fund: Lavdi Jetës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hendbollistet e Përfaqësues së Kosovës të hënën e kanë luajtur…