“Loti”, një vepër që rrëfen pa fjalë

21 nëntor 2019 | 14:14

“Në art, ashtu si dhe në jetë, sakrificat më të vlefshme janë ato që nuk sjellin përfitime”. Kjo thënie e filozofit francez Jean Rostand zbërthen më së miri tërësinë e veprës “Loti”.

“Loti” është vepër e ndjeshme muzikore, eklektike, që ngërthen zhanrin ambiental, progresiv, “new-age” dhe klasik. Është realizim jo i rëndomtë ndër shqiptarë, siç është edhe videoja në të cilën çdo sekuencë është fotografi në vete. Art edhe brenda tërësisë së artit. “Loti” nuk flet me fjalë, por me tinguj e imazhe. Dikush e ka përjetuar si një poezi të projektuar në eter, një tjetër si vetmi, tjetri si spastrim e dikush edhe si dhembje e kërkim çlirimi… përmes lotit! Secili version është i vërtetë, sepse arti që ndihet lejon çdo interpretim. Apo, siç ka thënë novelisti polak Jerzy Kosinski: “Parimet e artit të vërtetë nuk janë të portretizojnë, por të evokojnë”.

Në këtë aspekt duhet parë rëndësinë e thënies së Rostandit për artin. Sepse, në projektin “Loti”, emra të rëndësishëm të artit shqiptar kanë bashkëpunuar dhe sakrifikuar mbi baza vullnetare, për ta pasuruar një ide dhe një kompozim. Këtë e bën pa asnjë përfitim material por, thjesht, për ta nderuar e ndihmuar autorin e muzikës – të vetëdijshëm se një vepër e tillë e roli i secilit në pasurimin e saj, nuk ka asnjë “magnet” për klikime masive. Kjo, ndoshta, është edhe arsyeja se pse shumë krijues e dashamirës të artit – që nuk janë përfshirë në këtë projekt, por që e kanë parë produktin final para publikimit – ndër të tjera e kanë dhënë edhe këtë vlerësim: “Unike dhe e guximshme”! E, në fakt, “çfarë do të ishte jeta sikur të mos kishim guxim për të provuar, çfarëdo”? (Vincent Van Gogh)

“Loti” është konceptuar të shijohet e të vlerësohet si tërësi, me sinqeritet, jo për emër, po veç për përjetim e për një fjalë të mirë. Megjithatë, duhen përmendur emrat e atyre që guxuan të bashkohen për të krijuar diçka ndryshe: Muzika dhe aranzhmani i veprës “Loti” janë bërë nga Agron Shala. Regjia dhe konceptimi i videos nga mjeshtri i fotografisë, Fahredin Spahija. Vokaliste është sopranoja me famë ndërkombëtare, Besa Llugiqi. Ndërsa loja dhe koreografia nga një prej balerinave më të shquara shqiptare, Vjollca Llugiqi. Inxhinier i zërit është M. V. Muha, ndërsa xhirimet janë bërë nga kameramanët e portalit “Telegrafi”, Korab Basha dhe Pjetër Monreca…

Për fund, guxoni dhe shijojeni “Lotin”… si katarsë! /Telegrafi/

(Në fotografi: Vjollca Llugiqi. Fotografoi: Fahredin Spahija)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Neonatologji kanë arritur inkubatorë të rinj, sipas kërkesës së…