Lufta në Ukrainë, Rama: Evropa gaboi që ia la ShBA-së dialogun me Rusinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve me Rusinë, duke deklaruar se Evropa ka bërë një gabim strategjik duke ia deleguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) rolin kryesor në dialogun me Moskën.
Sipas kryeministrit Rama, nuk është puna e tij t’i japë leksione Estonisë për marrëdhëniet me Rusinë, por BE-ja, një fuqi e madhe në skenën botërore, nuk duhet ta lërë pas dore diplomacinë.
“Duke ia lënë bisedën me Rusinë Shteteve të Bashkuara, Evropa po heq dorë gjithashtu nga pozicioni i saj në botë”, ka thënë Rama, raporton “RTSH”.
Në një intervistë për median estoneze “Postimees” gjatë konferencës Lennart Meri Conference, Rama ka theksuar se BE-ja po ecën shumë ngadalë në vendimmarrje dhe se një union më i madh nuk mund të funksionojë me të drejtën e vetos për çdo shtet anëtar.
Ai ka përsëritur bindjen se Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030, duke argumentuar se lufta në Ukrainë ka përshpejtuar procesin e zgjerimit të unionit.



