Lutfi Haziri: Kurti s’e ka zgjidhur një çështje të vetme në dialog

17 gusht 2022 | 22:50

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se deri më tani, kryeministri i Kosovës ka pasur takime me presidentin serb sa për t’u takuar, por asnjë marrëveshje e re nuk është arritur.

Ai ka theksuar se është biseduar dhe dakorduar lidhur me metodat e implementimit të marrëveshjeve që janë arritur nga ish-kryeministrat e Kosovës, raporton “Epoka e re”.

“Ende nuk e kemi parë Kurtin në veprim për të zgjidhur një çështje të vetme në agjendën e cila pritet të shtjerret së bashku me ndërmjetësin ndërkombëtar, që në këtë rast është BE dhe Lajcak në emër të përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe lehtësimit të vjen nga SHBA-të”, ka shkruar Haziri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Haziri ka thënë se në takimin e së enjtes duhet ta kenë parasysh dhe prioritet negocimin sa më të shpejt të zgjidhjes së çështjeve që i kemi përpara.

“Natyrisht, me marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila përfundon me njohje reciproke dhe i obligon të dyja palët që ta zbatojnë dhe, mbi të gjitha, me këmbëngulësi dhe me vullnet politik duhet të insistojmë që kjo të përfundojë sa më parë sepse status-quo është armiku më i madh i Kosovës, e cila sjell tensione”.

“Në këtë rast, kapaciteti i gjetjes së zgjidhjeve tregohet, jo nëpërmjet policisë, por nëpërmjet dialogut”, ka shkruar Haziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti para takimit në Bruksel me të dërguarin…