Mediet zvicerane: Serbi-Zvicër, të gjithë shqiptare janë me ne

21 qershor 2018 | 12:33

Tabloidi zviceran “20min” ka shkruar për përballjen e nesërme mes Zvicrës dhe Serbisë në kuadër të Botërorit që po mbahet në Rusi.

Ky tabloid shkruan se ndeshja ka shkaktuar reagime dhe pritje të mëdha – gjithashtu edhe në komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër.

“Me Xhemajlin, Xhakën, Shaqirin e Behramin, katër lojtarë të Zvicrës me prejardhje shqiptare, ndeshja për shumëkënd interpretohet si duel midis Serbisë dhe Shqipërisë”, shkruan “20min”.

“20min” ka përcjell reagimet e faqeve të ndryshme nëpër rrjetet sociale dhe ka hasur në një postim të “AlbanianSoccer” në Twitter që ka shkruar se 22 qershori, data kur do të ndeshet Zvicra me Serbinë, është ndeshje e përfaqësueses B të shqiptarëve.

“Ndeshja do të jetë e tensionuar. Do t’i mësojmë serbët se humbja është e shkruar në ADN-në e tyre”, citon “20min” të ketë shkruar kjo faqe shqiptare.

Islam Spahiu, diplomat i Kosovës në Zvicër, ka thënë për “20min” se ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë është shumë e diskutuar në mesin e shqiptarëve.

“Asnjë ndeshje nuk është diskutuar aq shumë, ndoshta përveç asaj kur Zvicra luajti kundër Shqipërisë në Kampionatin Evropian”, ka thënë Spahiu.

“Nëse Zvicra fiton kundër Serbisë, do të jetë disi fitore e shqiptarëve ndaj serbëve. Edhe nëse mposhtet, them se edhe serbët do të ndihen njëjtë”, ka shtuar ai.

“20min” shkruan se të premten kosovarët do të jenë bashkë me zviceranët pasi ata janë integruar mirë në shoqërinë zvicerane.

“Ata [lojtarët shqiptarë] kanë arritur të bëjnë bashkë shqiptarët dhe zviceranët. Kanë krijuar ndjenjën se shqiptarët janë përkrahës të Zvicrës. Ndoshta asnjë gjeneratë nuk ka qenë e integruar aq mirë sa kjo e Xhakës e Shaqirit”, ka thënë ai. “Ata kanë ndërtuar një shtëpi të re”. “20min” ka folur edhe me komunitetin serb në Zvicër që ka bërë përmendur se kjo është një ndeshje sportive në të cilën nuk duhet të përfshihet politika. “Ka të bëjë me futbollin. Për ne llogaritet se Serbia duhet të shkojë sa më lart që të jetë e mundur – nuk ka rëndësi ndaj kujt fitoni”, ka thënë Tanja Radojeviq, presidente e Asociacionit kulturor serb në Zvicër.

Edhe Ljubisha Miriq, president i Asociacionit kulturor në Altstaaten pajtohet me qëndrimin e Radojeviqit.

“Lojtarët shqiptarë luajnë në flamurin zviceran. Nëse serbët humbin apo fitojnë – ata do ta bëjnë këtë vetëm kundër Zvicrës – jo kundër Shqipërisë. “Ose krejt ose asgjë”, ka thënë Miriq që mezi po e pret ndeshjen.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka pritur të enjten në…