Merkeli shpreson që në mars të nisin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

27 janar 2020 | 12:13

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se për çfarë kanë diskutuar në takimin e përbashkët në Berlin.

“Gëzohem që sot kemi mundësi të shkëmbejmë mendime me kryeministrin Edi Rama në këtë fillimvit, por dhe të zhvillojmë bisedime dypalëshe. Për mua është një nevojë e veçantë që përballë tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri ku shumë njerëz humbën strehën dhe pati një numër të lartë viktimash të organizohet konferenca e donatorëve dhe Gjermania do të marrë pjesë aty. Bashkëpunimi dhe ndihma në rajon ishin impresionuese, megjithatë tërmeti ishte goditje e rëndë për Shqipërinë. Ne do të flasim për disa çështje, marrëdhëniet dypalëshe, ato ekonomike, kursi i reformave. Më lejoni të them se janë arritur shumë gjëra në lidhje me reformën në drejtësi. Kjo duhet të vazhdojë që reforma në drejtësi të përmbyllet, është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë”, ka thënë Merkeli.

Më tutje, Merkeli ka vënë theksin tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë.

“Në emër të qeverisë gjermane dua të them se ne i përmbahemi perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe për Ballkanin Perëndimor. Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE-në dhe që para se gjithash në Këshill në mars të nisin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut. Të dy vendet kanë arritje të mëdha, edhe në këshillin e fundit ne folëm për këtë dhe shpresojmë që në Mars të marrim rezultatet që dëshirojmë. Nuk është në interes vetëm të vendeve të Ballkanit perëndimor por dhe në interesin tonë dhe të gjithëve që këto vende të bëjnë pjesë në BE. Ai që e njeh situatën e përgjithshme e di mirë që është mirë që një ditë këto shtete të bëhen anëtare te Be. Meqenëse Komisioni i ri Evropian thekson kriteret politike ka më shumë arsye për ta çuar përpara këtë proces”, ka thënë Merkeli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka falënderuar kancelaren e…