Merret vendimi: Ish-gjyqtari i EULEX-it do dëshmojë në Kuvend për keqpërdorimet

27 nëntor 2020 | 11:01

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka marrë vendim që Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, të dëshmojë për pretendimet për keqpërdorime në këtë mision.

Propozimi i deputetes së AAK-së Donika Kadaj-Bujupi, ka marrë shtatët vota të deputetëve, anëtarë të këtij komisioni.

Kadaj-Bujupi ka thënë se duhet që avokatit të Simmonsit, Artan Qerkinit t’i kthehet përgjigje që ish-gjyqtari i EULEX-it mund të dëshmojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Konsideroj që sot duhet ta hedhim në votim propozimin tim ku i kthehet letër avokatit Qerkini ku i thuhet se takimi të mbahet sa më parë që të jetë e mundur me Malcolm Simmons”, ka thënë ajo.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ka përkrahur kërkesën e Kadaj-Bujupit.

“Ta trajtojmë shumë seriozisht këtë kërkesë. Ta kemi një plan të qartë ne raport me raportimin e këtij gjyqtari. Sa më parë ta kemi në Komisionin Simmons. Ky Komision duhet të dëgjoj një dëshmi të gjyqtarit në fjalë”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i Nismës Endrit Shala është pajtuar me propozimin e Kadaj-Bujupit.

“E kemi detyrë që sa më parë ta fillojmë kontaktin me zyrën e avokatit në fjalë që të vijë sa më parë dhe të dëshmoj para Komisioni gjyqtari në fjalë”, ka thënë Shala.

Po ashtu, edhe deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka thënë se janë të gatshëm që ta dëgjojnë Simmons.

Në anën tjetër kryetari i këtij komisioni, Shkëmb Manaj, ka thënë se ish-gjyqtari i EULEX-it nuk duhet të dëshmojë në Kuvend.

“Andaj në emër të LDK-së ka thënë se nuk përkrahin këtë propozimin sepse Simmons duhet të dëshmoj diku tjetër jo para neve”, ka thënë ai.

Kurse avokati Artan Qerkini ka folur rreth pretendimeve të ish-presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, ku akuzon disa prej ish-gjyqtarëve të EULEX-it për shkelje.

Qerkini ka thënë se Simmons është i gatshëm që të dëshmojë në Parlamentin e Kosovës për këtë gjë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Subjektet politike janë të ndara në qëndrime për pozitën e…