Ministrja Hoxha në Vjenë: Populli i Kosovës është më proevropiani në Evropë

21 shkurt 2019 | 15:01

Pas takimit të ministrave përgjegjës për çështjet evropiane, i cili është mbajtur në Vjenë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se përfshirja Ballkani Perëndimor në procesin e zgjerimit nga Bashkimi Evropian (BE) është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Ajo nëpërmjet një deklarate për medie, ka thënë se Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave me BE-në.

“Edhe pse qytetarët e Republikës së Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave dhe ne do t’i nxisim shtetet anëtare të shpejtojnë procesin e vendimmarrjes pas konfirmimit nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi”, është thënë në deklaratën e ministres Hoxha.

Deklarata e ministres Hoxha, pas takimit ministror për çështje evropiane në Vjenë:

Kosova mirëpret dhe vlerëson shumë partneritetin me Austrinë dhe jam mirënjohëse ndaj ministrit Blumel për përpjekjet e tij për të çuar përpara agjendën strategjike për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kemi pasur diskutime konstruktive me pjesëmarrësit dhe u përsëritë rëndësia që BE të fokusojë politikën e saj të jashtme deri në vitin 2025 dhe më tej në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirja Ballkani Perëndimor është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Strategjia e Zgjerimit, e cila u publikua vitin e kaluar, ishte më shumë se e mirëpritur, duke na dhënë mesazh të qartë për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës. Megjithatë, theksova rëndësinë e faktit që vendet e Ballkanit Perëndimor të ofrohen me hapa më të vendosur dhe konkret në rrugën evropiane.

Është e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në BE, megjithatë ky është një proces negocimi i cili duhet të zhvillohet me kujdes.

Siç e dini, Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Edhe pse qytetarët e Republikës së Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave dhe ne do t’i nxisim shtetet anëtare të shpejtojnë procesin e vendimmarrjes pas konfirmimit nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi.

Ne, gjithashtu jemi fokusuar në ndihmën financiare nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksuam rëndësinë që BE të rrisë efikasitetin e përgjithshëm të projekteve të investimeve në Kosovë dhe rajon. Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm do të ishte rritja e granteve të BE-së për projekte të ndryshme infrastrukturore.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se viti 2019…