Mitrovica fiton Kupën

22 maj 2019 | 23:09

Skuadra e Mitrovicës është fituese e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave.

Në ndeshjen finale që u zhvillua sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në praninë e disa qindra tifozëve, vashat e drejtuara nga Seid Onbashi kanë shënuar fitore me rezultat bindës kundër Kosovës së Prishtinës, me shifrat 7:1, duke u kurorëzuar kësisoj për të dytin vit rresht me këtë trofe.

Që nga fillimi i ndeshjes u konfirmua qartazi se cilësia ishte në anën e skuadrës mitrovicase dhe kjo nuk linte shumë dyshime sa i përket skuadrës e cila do t’i gëzohej trofeu. Serinë e golave për Mitrovicën e hapi kapitenia Xhemile Berisha, në minutën e 14-të, duke e vazhduar më pas Liridon Syla (23’), Kaltrina Biçkaj (29’), para se prishtinaset ta shënonin golin e parë nëpërmjet Fjona Shabanit (40’), që në fund doli të ishte edhe goli i vetëm i skuadrës së drejtuar nga Ilir Sopi.

Ndërkaq, pak para se skuadrat të shkonin në pushim Donjeta Halilaj shënoi edhe golin e katërt për Mitrovicën. Edhe në pjesën e dytë ishin mitrovicaset ato që e menaxhuan më mirë lojën, falë edhe përgatitjes më të mirë fizike. Kjo rezultoi edhe me tre gola tjerë, një të shënuar nga kapitenia Xhemile Berisha (59’) dhe dy të tjera nga Kaltrina Biçkaj (85’, 89’), e cila kësisoj regjistroi het-trik në këtë finale. Të gjitha golat e kësaj ndeshje futbollistet e Mitrovicës ia kanë dedikuar bashkëlojtares së tyre dhe anëtares së Kombëtares së Kosovës, Edona Kryeziu.

Ndeshjen finale e ndoqën nga afër presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe shefi i Divisionit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre. Ndërkaq në fund, medaljet për të dyja skuadrat finaliste i ndanë anëtarja e KE të FFK-së dhe kryetarja e Komisionit të Futbollit të Femrave, Vjollcë Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka, derisa trofeu iu dorëzua kapitenes, Xhemile Berisha.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Bislim Zogaj, ka qenë…