Morina: Kemi ambicie të mëdha në Kupë

19 janar 2021 | 12:07

Mesfushori Albutrint Morina ka thënë për “Epokën e re” se Drenica synon të bëjë befasi në garën e Kupës, kurse në kampionat synim kryesor ka mbijetesën.

KF Drenica në gjashtë ndeshjet e fundit të sezonit vjeshtor nuk arriti të sigurojë asnjë fitore, madje në këto ndeshje kuqezinjtë pësuan pesë humbje dhe barazuan në vetëm një ndeshje.

Mesfushori i kësaj skuadre, Albutrint Morina, në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se sezoni vjeshtor në përgjithësi nuk ka qenë i mirë për Drenicën, por shpreson që në pranverë gjërat do të ndryshojnë në të mirë për klubin nga Skenderaj. “Nuk jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme në kampionat, por do të përpiqemi të përgatitemi sa më mirë dhe në pranverë të paraqitemi më mirë dhe rezultatet të jenë ndryshe në krahasim me sezonin vjeshtor”, ka deklaruar Morina, i cili më pas ka folur edhe për ndryshimet në klubin kuqezi. “Ndryshimet e shumta nuk di sa mund të jenë efektive në këtë kohë, por klubi i di më mirë këto punë”, ka shtuar ai.

Ish-mesfushori i Vëllaznimit, Feronikelit dhe Llapit ka folur edhe për synimet e Drenicës në këtë edicion të garave.

“Synimi ynë në kampionat është ta arrijmë mbijetesën. Besoj se me një angazhim maksimal nga të gjithë do t’ia dalim. Ndërsa për Kupë, nëse na jepet mundësia, do të luftojmë deri në fund, pse jo edhe ta fitojmë këtë trofe”, ka thënë Morina.

Morina ka folur edhe për pandeminë Covid-19. Ai ka thënë se sporti është goditur, por prapëseprapë klubet e futbollit ia kanë dalë t’i bëjnë ballë. “Pandemia, si në çdo profesion, e ka prekur edhe futbollin, por mendoj se deri tani, duke pasur parasysh kushtet, ia kemi dalë mjaft mirë, duke falënderuar Federatën e Futbollit dhe donatorët e klubeve që kanë qenë shumë korrektë nga ana financiare”, ka përfunduar ai.

Drenica në 18 ndeshjet e zhvilluara në sezonin vjeshtor mori 19 pikë, regjistri 5 fitore, 4 barazime dhe 9 humbje. Ky klub përfundoi në pozitën e parafundit, por ka vetëm një pikë më pak se Llapi dhe dy më pak se Trepça ’89 dhe Arbëria.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për…