Mustafa për qeverinë Kurti: S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës, duan të themelojnë ushtri paralele

09 gusht 2022 | 16:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka deklaruar se situata në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur.

Kjo deklaratë e të parit të qeverisë ka ngjallur reagime të shumta nga njohës të politikës, por edhe nga partitë opozitare, nga ku është kërkuar që të mos krijohet panik pasi që diçka e tillë, pra konflikti i armatosur nuk mund të ndodhë.

Në lidhje me këtë çështje “lajmi.net” ka kontaktuar ish-kryeministrin Isa Mustafa.

I pyetur për deklaratën e Kurtit si dhe për kujdesin që i pari i qeverisë duhet të tregojë në deklarimet e tij në mënyrë që të mos ngjallet panik, Mustafa ka thënë se qeveria e Albin Kurtit është qeveri e dhunës dhe se nuk dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës.

“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotësjellës, bomba molotovi, granata ka ardhur në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. ‘Kushtetutë e pa Kushtetutë’ (mësim i keq dhe fatal)”, ka thënë Mustafa.

Më tutje, Mustafa ka shtuar se Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani siç ka thënë ai, “kaftjall e drekë e kanë Rusinë dhe Serbinë” dhe se ata që ndjellin luftë e sjellin Serbinë tek dera.

“Që nga ardhja në pushtet flasin vetëm për luftën, thuaj se lufta nuk ka përfunduar. Kryeministri dhe presidentja, kaftjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën, Serbinë. Sikur ne të ishim qendra e botës, ku do të fillojë ‘Dita e Kijametit’. Shumë më shumë janë të prirur të ndjellin luftë sesa të promovojnë paqe. Prandaj ata që ndjellin luftë, ta sjellin Serbinë te dera”, ka deklaruar Mustafa.

I pyetur për mundësinë e një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa dhe se interesi i Kosovës nuk është lufta, por zgjidhja e problemeve me paqe dhe dialog.

“Interesi i Kosovës nuk është  lufta as përmendja e saj. Është zgjidhja e problemeve me paqe e dialog. Kryeministri, nëse përnjëmend llogaritë në luftë dhe do luftë atëherë le ta sjellë edhe familjen e tij në Kosovë që të bëhet më i përgjegjshëm për vendimet e tij dhe diskursin e tij”, ka përfunduar Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka fituar ende asnjë garë këtë sezon, por Lewis…