Në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën ta mbrojmë më së shumti nga Qeveria e Kosovës

09 prill 2024 | 09:49

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se këto tri vjet Kushtetuta e Kosovës më së shumti ka pasur nevojë që të mbrohet nga Qeveria e Kosovës.

Krasniqi në një postim në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i dalë zot mbrojtjes së Kushtetutës, të cilën e ka obligim ligjor, institucional e kombëtar.

“Fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj.

Angazhimi që duke ndjekur parimet e Kushtetutës tonë, të ndërtojmë një shtet të drejtë, të sigurt dhe barabartë për të gjithë, ka qenë, është dhe mbetet zotimi ynë i përhershëm!”, shkruan Krasniqi.

Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

Kushtetuta e Kosovës, e cila në pjesë të madhe rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, i dha të drejta specifike minoriteteve që jetojnë në Kosovë.

16 vjet pas miratimit të kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj. Për këto vite Kushtetuta e Kosovës ishte amendamentuar disa herë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moti i lig ka kapluar Afrikën e Jugut, ku erërat…